Shpërthimi i tritolit në garazhin e Elvis Kosovës, zbardhet ngjarja që ndodhi në kryeqytet! Shpallet në kërkim autori

05/08/2025 08:45

Policia ka zbardhur ngjarjen e ndodhur në kryeqytet më 24.07.2025, ku u vendos tritol në garazhin e Elvis Kosovës.

Autori i dyshuar është identifikuar dhe shpallur në kërkim për ngjarjen, teksa është gjetur edhe makina me të cilën 36-vjeçari ka lëvizur.

“Identifikohet dhe shpallet në kërkim autori i dyshuar. Gjendet dhe automjeti me të cilin ky shtetas lëvizi gjatë kryerjes së krimit. Si rezultat i hetimeve të thelluara, të kryera nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, me qëllim zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes së ndodhur më datë 24.07.2025, në rrugën “Peti”, ku në portën hyrëse të garazhit të shtetasit E. K. u vendos një sasi lënde plasëse, kanë identifikuar dhe shpallur në kërkim autorin e dyshuar të ngjarjes, shtetasin: K. S., 36 vjeç, banues në Fushë Krujë”, njoftojnë blutë.

Rreth orës 03:50, në rrugën “Peti”, në portën hyrëse të garazhit e Elvis Kosovës, 39 vjeç, është vendosur dhe ka shpërthyer një sasi e dyshuar lënde plasëse. Si pasojë janë shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale në disa automjete, të parkuara.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Kush është Elvis Kosova, emër i njohur për policinë? 

Elvis Kosova, 39-vjeçari të cilit iu vu tritol pas mesnate në garazh nuk është një emër i panjohur për policinë. Elvis Kosova zotëron një biznes shitje blerje makinash dhe ka marrë pjesë në disa gara me makina.

Ai rezulton i arrestua një vit më parë së bashku me një shtetas turk, i identifikuar si Yucehan Er, pasi përmes një skeme mashtrimi kanë tentuar që të përvetësojnë një automjet tip “Audi” me vlerë 200 mijë euro.

Sipas policisë, 39-vjeçari turk, Yucehan Er banues në Gjermani, ka marrë një automjet me qira, të cilin e ka sjellë në Shqipëri dhe më pas ka bërë kallëzim të rremë se ia kanë vjedhur në afërsi të një hoteli në Tiranë.

Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se ky shtetas, ia ka dhënë automjetin shtetasit Elvis Kosova dhe ka bërë kallëzim të rremë për vjedhjen e tij, për qëllime përfitimi.

Pasi ka zbuluar skemën, policia thotë se gjatë kontrollit në oborrin e një banese në fshatin Prush, u gjet i parkuar automjeti tip “Audi”, i cili u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, së bashku me 4 aparate celulare.

Ai njihet edhe si “pilot” garash ndërsa ka fituar në “Drag Race” të zhvilluar gjatë kohës së pandemisë në Kosovë, si përfaqësues i Shqipërisë, në muajin Qershor të vitit 2021, me një “Nissan” sportiv.

Në vitin 2022 në aksin Laç-Mamurras në zonën e Patokut, ku është akuzuar dhe hetuar si organizator i një gare të paligjshme me makina.

Ai u kap nga policia teksa po çmontonte mjetin e tij të garave në servis, ndërsa u gjobit me 120 mijë lekë.

Top Channel