Sharon Stone ka folur së fundmi për grindjen me Michael Douglas, si dhe për bashkëpunimin e tyre në filmin e njohur “Basic Instinct”, duke zbuluar detaje të panjohura më parë rreth marrëdhënies së tyre, shumë kohë përpara se të bëheshin një nga çiftet më ikonike të ekranit në filmin e Paul Verhoeven.

Në një intervistë për Business Insider, aktorja 67-vjeçare tregoi se fillimisht Michael Douglas nuk dëshironte të provonte skena me të, pasi ajo ishte një aktore e panjohur në atë kohë.
“Ai nuk donte të tregonte të pasmet e tij në ekran me një të panjohur – dhe unë e kuptova këtë,” tha Stone.

Sipas saj, refuzimi i Douglas nuk kishte të bënte vetëm me mungesën e famës së saj, por edhe me një incident të mëparshëm mes tyre në Festivalin e Filmit në Kanë.
“Ishim një grup njerëzish dhe ai po fliste për dikë dhe fëmijët e tyre. E njihja shumë mirë atë person për të cilin po fliste. Kështu që ndërhyra dhe ai më bërtiti: ‘Çfarë dreqin di ti?’ Ishte një bisedë që kishte të bënte me marrëdhënien baba-bir.”

Stone shtoi: “Padyshim që preka një pikë të ndjeshme për të. Ai bërtiti para të gjithëve. Dhe unë nuk jam nga ato që thonë: ‘Më fal, ylli im.’ Tërhoqa karrigen mbrapa dhe i thashë: ‘Hajde të dalim jashtë.’ Kështu u njohëm.”

Pasi dolën jashtë, “I shpjegova se çfarë dreqin dija për këtë familje dhe se isha e afërt me fëmijët dhe prindin për të cilin po fliste.” Pas kësaj bisede, ata “u ndanë jo si miq, por miqësisht,” kujton Stone. Kur erdhi momenti për të zgjedhur aktorët e filmit Basic Instinct, Stone beson se Douglas nuk ishte i entuziazmuar që ajo të ishte bashkë-ylli i tij. “Nuk mendoj se ai donte që unë të isha partnerja e tij në film,” tha ajo.

Megjithatë, kimia mes tyre në ekran rezultoi të ishte perfekte.

“Tensioni funksionoi në mënyrë të shkëlqyer gjatë xhirimeve. Nuk u mërzita kur ai më bërtiti. Ishte diçka që ndihmoi shumë në ndërtimin e dinamikës mes personazheve tanë, sepse Michael ka nerva dhe mua nuk më interesonte fare,” shpjegoi Stone.

Tensionet tashmë i përkasin së kaluarës. “Përfunduam duke qenë miqtë më të mirë – dhe jemi ende miq edhe sot,” tha ajo. “E admiroj jashtëzakonisht shumë.”

Reagimi i Michael Douglas ndaj deklaratave të Sharon Stone

Në një deklaratë ekskluzive për People, përfaqësuesi i Michael Douglas, Allen Barry, u shpreh i habitur nga komentet e Stone. “Michael u habit shumë nga fjalët e Sharon, pasi nuk kujton ndonjë përballje të tillë në atë kohë,” tha ai.

Sipas Barry, aktori e pa për herë të parë Sharon Stone në provën e saj në ekran, të regjistruar nga regjisori Paul Verhoeven për Basic Instinct, dhe reagimi i tij ishte i menjëhershëm: “Ky është ai personazhi.”

Ai shtoi gjithashtu se Douglas “me siguri kishte kaluar kohë me Sharon në Kanë, por kjo ndodhi më vonë, në vitin 1992, kur ata po promovonin filmin.” Në atë periudhë, sipas tij, “ata ishin tashmë miq.”

Top Channel