
Në Gjenevë kanë nisur të martën negociatat ndërkombëtare që synojnë të arrijnë një traktat historik global për të luftuar ndotjen nga plastika.
Bisedimet do të zgjasin 10 ditë dhe janë pjesë e përpjekjeve për të gjetur një zgjidhje ligjore për krizën e ndotjes nga plastika. Pas dështimit të bisedimeve të mëparshme në Dhjetor në Busan të Koresë së Jugut, ku një grup shtetesh prodhuese të naftës bllokuan konsensusin, vendet po përpiqen sërish në këtë raund në Gjenevë, nën organizimin e Programit të Kombeve të Bashkuara për Mjedisin.
Drejtuesja e UNEP, Inger Andersen, tha për AFP se edhe pse pritshmëritë nuk janë të pakta, ekziston një rrugë për të arritur një marrëveshje. “Shumë vende po vijnë në Gjenevë me qëllimin për të bërë marrëveshjen,” tha ajo. Plastika ndot botën në mënyrë të përhapur: mikroplastika është gjetur në maje të maleve, në thellësitë e oqeaneve dhe në pjesë të ndryshme të trupit të njeriut.
Disa vende kërkojnë një traktat ambicioz për të reduktuar prodhimin dhe për të hequr gradualisht kimikatet e dëmshme, ndërsa shtetet prodhuese të naftës preferojnë të fokusohen vetëm në trajtimin e mbetjeve. Globalisht, prodhohen mbi 400 milionë ton plastikë çdo vit, ku gjysma përdoret për produkte njëpërdorimshme. Vetëm 9% e plastikës riciklohet në fakt, ndërsa pjesa tjetër përfundon në landfill, digjet ose hidhet në ambient në mënyrë të pakontrolluar.
Një raport i revistës mjekësore The Lancet paralajmëroi se ndotja plastike është një rrezik serioz dhe në rritje për shëndetin, duke shkaktuar kosto prej të paktën 1.5 trilionë dollarë në vit për ekonominë globale.
Top Channel