“Mbylleni bisedën, ose…” / Presidentja e Zvicrës merr paralajmërim nga Uashingtoni gjatë telefonatës me Trump

05/08/2025 22:39

Presidentja zviceriane, Karin Keller-Sutter, ka shkaktuar një përplasje diplomatike me Presidentin e SHBA-së, Donald Trump, gjatë një telefonate për çështjen e tarifave doganore.

Sipas të përditshmes zvicerane Tages-Anzeiger, gjatë telefonatës mes dy liderëve, nga Uashingtoni mbërriti një mesazh urgjent: “Mbylleni këtë bisedë, përndryshe situata do të përkeqësohet.” Dy minuta më pas, biseda midis Zvicrës dhe SHBA-së u ndërpre.

Më parë, Trump kishte vendosur tarifa ndëshkuese prej 31% ndaj produkteve zvicerane. Presidentja Keller-Sutter kishte arritur një shtyrje deri më 1 gusht dhe Zvicra propozoi një marrëveshje me tarifë 10% dhe investime zvicerane në SHBA deri në 200 miliardë franga.

Megjithatë, gjatë telefonatës më 31 korrik, Trump e quajti ofertën të pamjaftueshme, duke përmendur një deficit tregtar prej 39 miliardë dollarësh me Zvicrën. Ai kërkoi tarifa shumë më të larta dhe argumentet e presidentes zvicerane i cilësoi si “moraliste”, përpara se të kërcënonte me tarifë 30%.

Pas 30 minutash, Sekretarja e Shtetit Helene Budliger mori një SMS nga Uashingtoni me mesazhin se biseda duhet të ndërpritet menjëherë. Pas përfundimit të telefonatës, Keller-Sutter konfirmoi publikisht dështimin e negociatave. Vetëm dy orë më pas, SHBA vendosi tarifa prej 39% për importet zvicerane.

Brenda qeverisë zvicerane janë ngritur kritika se Keller-Sutter i është qasur bisedës me Trump pa përgatitje të mjaftueshme dhe pa mandat të qartë nga Këshilli Federal. SECO do të marrë sërish në dorë procesin, dhe është paralajmëruar një mbledhje urgjente virtuale e qeverisë.

Keller-Sutter dhe ministri i ekonomisë Guy Parmelin udhëtojnë drejt Uashingtonit për të paraqitur një ofertë të re, me shpresën që të zbutin tarifat përpara 7 gushtit, kur ato pritet të hyjnë në fuqi.

Sipas Departamentit të Financave, objektivi është që t’i paraqitet SHBA-së një propozim më tërheqës që merr parasysh edhe interesat amerikane. Ende nuk është konfirmuar nëse do të takohen personalisht me Presidentin Trump.

Ndërkohë, shoqatat ekonomike zvicerane paralajmërojnë për pasoja të rënda: mijëra vende pune janë në rrezik dhe disa kompani përballen me rrezikun e falimentimit. SHBA është tregu kryesor për eksportet zvicerane.

Top Channel