Larg teknologjisë! Kamp veror për fëmijët e Sarandës me lojëra e punime artizanale: Krijojmë hapësira të barabarta, askush nuk mbetet jashtë!

05/08/2025 13:46

Në një kohë kur përdorimi i telefonit dhe pajisjeve digjitale nga fëmijët është më i lartë se kurrë, 140 fëmijë të qytetit të Sarandës po marrin pjesë në një kamp veror ku koha e lirë merr një kuptim ndryshe.

Kampi, i organizuar nga Qendra Sociale “Motrat Marcelina”, zhvillohet nën moton “Në kërkim të së bukurës” dhe u ofron fëmijëve mundësinë të eksplorojnë botën përmes lojës, artit dhe bashkëpunimit.

Çdo ditë, fëmijët përfshihen në punime artizanale, lojëra në grup, kërcim aerobik dhe aktivitete krijuese që nxisin fantazinë dhe punën në skuadër. Ata ndërtojnë figura si ura, kala apo peizazhe me materiale të thjeshta, ndërsa më të vegjlit krijojnë lule e flutura me letra të ngjyrosura.

Ky është pushim me vlera, ku fëmijët mësojnë të shohin bukurinë, të punojnë së bashku dhe të zhvillojnë ndjeshmëri ndaj njëri-tjetrit”, shprehet Ana Gianetta.

Animatori kryesor i kampit, Roberto Balilaj, shton se aktivitetet janë ndërtuar në mënyrë që çdo fëmijë të ndihet i përfshirë dhe të zbulojë aftësitë e tij.

Ne krijojmë hapësira të barabarta për lojë e shprehje, ku askush nuk mbetet jashtë”, shprehet Balilaj.

Ky kamp paraqet një alternativë të nevojshme në një realitet ku shumë fëmijë kalojnë pjesën më të madhe të kohës së lirë para ekranit. Sipas një studimi të organizatës “World Vision”, 63% e fëmijëve në Shqipëri kalojnë më shumë se një orë në ditë online.

Specialistët theksojnë se koha e tepërt para ekranit lidhet me probleme të përqendrimit, mungesë ndërveprimi social dhe rënie të vetëvlerësimit.

Qendra “Motrat Marcelina”, me mbi 25 vite punë në komunitetin e Sarandës, është e njohur për nismat që ndërthurin argëtimin me zhvillimin personal dhe social të fëmijëve.

Top Channel