
Autoritetet amerikane kanë hapur një tjetër kapitull në sagën e gjatë rreth ndërhyrjes ruse në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016.
Prokurorët federalë, me urdhër të Prokurores së Përgjithshme Pam Bondi, do të paraqesin prova para një jurie të madhe një hap që mund të çojë në ngritjen e akuzave formale ndaj personave ende të paidentifikuar publikisht. Hetimi ka në fokus pretendimet se kundërshtarë politikë të Donald Trump mund të kenë bashkëpunuar për ta akuzuar atë në mënyrë të rreme për bashkëpunim me Rusinë.
Trump ka deklaruar vazhdimisht se akuzat ndaj tij janë një “gjueti shtrigash” e organizuar nga administrata e mëparshme. Ish-drejtuesja e inteligjencës kombëtare, Tulsi Gabbard, ka akuzuar ish-presidentin Barack Obama dhe ekipin e tij të sigurisë për një “grusht shteti shumëvjeçar” kundër Trump-it. Trump shkoi më tej, duke akuzuar Obamën për “tradhti” – një deklaratë që u cilësua “absurde” nga zëdhënësi i Obamës. Sipas një raporti të ri të deklasifikuar, një memo e vitit 2016 sugjeron se Hillary Clinton kishte miratuar një plan për ta lidhur Trump-in me Rusinë. Po ashtu, një e-mail i dyshuar nga një organizatë e lidhur me George Soros përmend strategji për “demonizimin afatgjatë të Trump dhe Putinit”.
Por pavarësisht toneve politike, nuk ka prova konkrete për një komplot të FBI-së. Raporti kryesor i prokurorit special John Durham, me 306 faqe, i publikuar në vitin 2023, vlerëson se hetimi fillestar i FBI-së kundër fushatës së Trump-it kishte mungesa serioze analitike dhe mbështetej në inteligjencë të paprocesuar dhe të pakonfirmuar.
Ndërhyrja ruse në zgjedhjet e 2016-ës, përmes faqeve të rreme në rrjetet sociale dhe hakimit të e-maileve demokratike, është konfirmuar nga inteligjenca amerikane. Megjithatë, ekspertët thonë se kjo ndërhyrje nuk ka ndikuar në mënyrë vendimtare në rezultatin përfundimtar. Përballë këtyre zhvillimeve të reja, pyetja që shtrohet është: A do të sjellin këto hetime drejtësi – apo do të thellojnë më tej ndarjet politike në SHBA?
Top Channel