
Vera e ka dobësuar më tej monedhën europaine.
Vera e ka dobësuar më tej monedhën europaine. Nga viti në viti sezoni veror e ka dëmtuar më tej euron duke shënuar kështu edhe minimume të reja në tregun valutor. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë bëjnë të ditur se 1euro u këmbye për 97.3 lekë në 24 orët e fundit. Hyrja e muajit gusht shënoi vetëm ulje në treg ndërsa rënia krahasuar me një vit më parë është 2.91 lekë, teksa kjo monedhë qëndronte në nivelin e 100.21 lekë në gusht 2024.
Prurjet e larta të euros në vend përmes turizmit, emigracionit dhe investimeve, po krijojnë një ofertë të tepërt që nuk përthithet nga kërkesa e brendshme sipas ekspertëve.
“Kursi i këmbimi përcaktohet nga disa faktorë në rastin e euros këto janë faktor të brendshëm të sistemit monetar dhe financiar në Shqipëri. Kanë të bëjnë me një përballje të masës monetare në lekë dhe në euro sipas ligjit të kërkesës ofertës, ajo monedhë që është shumë prezentë dobësohet përballë lekut që ka një ofertë monetare më të kufizuar”-shprehet Adrian Civivi, ekspert ekonomie.
Në këtë situatë për të rritur rezervën valutore dhe stabilizuar kursin e këmbimit Banka e Shqipërisë tërhoqi në Tr.1 të vitit 33 milionë euro nga tregu. Por sa efektive rezultoi si masë?
“Kërkohet dhe ndërhyrje e bankës së Shqipërisë e qeverisë. Politika të caktuar si deeurozimi tentuam dhe ngeli në hije për të pasur efekte. Por dhe banka e Shqipërisë nuk e ka objektiv direkt ndërhyrjen në kursin e këmbimit por kur shef që ky kurs këmbimi prek ekuilibra të rëndësishëm mund të ndërhyjë. Dhe e ka bërë këtë. Por dhe nga shifrat në pikat e këmbimit qarkullojnë rreth 10 miliardë euro dhe kjo masë kaq e madhe është e vështirë të përballohet”.
Për të frenuar një dobësim tjetër të monedhës evropiane por më shumë për të rritur rezervën valutore në vitin 2025, Banka e Shqipërisë planifikon të tërheqë edhe më shumë valutë nga tregu këtë vit për të rritur rezervën. Nëse vjet plani ishte për të blerë 250-330 milionë euro për të rritur rezervën, këtë vit planifikimi është bërë për të tërhequr 270-350 milionë Euro.
Top Channel