
Ky lajm nuk është shkruar nga një inteligjencë artificiale. Megjithatë, nëse ju lind dyshimi i ligjshëm dhe dëshironi ta shprehni atë në komente, kini kujdes: autori i këtyre rreshtave mund të ndjehet i ofenduar nga krahasimi me një chatbot.
Kjo është ajo që pohon universiteti Cambridge-it. Një studim i drejtuar nga Advait Sarkar ka hedhur dritë mbi fenomenin e quajtur “AI shaming” (turpërimi me inteligjencën artificiale), i cili duket se është veçanërisht i përhapur në mjediset akademike.
Shprehja “Ti shprehesh si një inteligjencë artificiale” do të ishte, sipas studiuesve amerikanë, një ofendim, në kundërshtim me ata që besojnë se teknologjia së shpejti do të zëvendësojë gazetarët, shkrimtarët, poetët dhe folësit profesionalë në fushën editoriale, natyrisht. Krahasimi me ChatGPT dhe platforma të ngjashme do të shërbente për të ulur vlerën e stilit të shkrimit të dikujt tjetër, duke nxjerrë në pah boshllëkun dhe nivelin e ulët të shprehjes. Sidomos në botën anglofone, shprehja “ti dukesh si chatbot” është bërë një përbuzje klasike, që minon menjëherë vetëvlerësimin dhe autoritetin e atij që e merr.
Sipas studiuesve të Cambridge, fshihet një konflikt i fshehtë klasi: ata që përdorin “AI shaming” janë zakonisht përfaqësues të klasave të mesme dhe të larta, të cilët kështu denigrojnë punën e “proletariatit të fjalës”, pra të atyre që për arsye të ndryshme nuk kanë mundur të zhvillojnë aftësitë e tyre të komunikimit.
E gjithë kjo bëhet edhe më paradoksale kur inteligjencat artificiale, ndonëse duhet të përmirësojnë ende “artin e tyre të të folurit”, janë tashmë shumë të afta të fyjnë njerëzit.
Top Channel