
Nga Drita Kruja
Universitetet shqiptare ndodhen përballë një sfide të re dhe të pashmangshme: përfshirja në renditjet ndërkombëtare të universiteteve. Vetëm atëherë, universitetet do të bëhen pjesë e botës. Dhe është pikërisht ky vendi ku studentët tanë e meritojnë të jenë.
Në vitin 1946, me krijimin e Institutit të Lartë Pedagogjik Tiranë, Shqipëria hodhi hapin e parë drejt institucionalizimit të arsimit të lartë. Ngjarje që i parapriu themelimit të Universitetit të Tiranës më 1957. Ky ishte fillimi i një rruge të gjatë dhe sfiduese për arsimin e lartë në vend, në një kohë kur sistemi universitar zhvillohej në izolim nga bota. Pas rënies së regjimit, tranzicioni solli sfida të reja, por edhe një frymë të re pluralizmi dhe hapjeje.
Në vitin 2002, Shqipëria përjetoi një tjetër pikë kthese në historinë e arsimit të lartë: u themelua institucioni i parë privat i arsimit të lartë, duke sjellë një qasje alternative ndaj mësimdhënies, kërkimit shkencor dhe lidhjes me tregun e punës. Në dy dekadat që pasuan, peizazhi universitar shqiptar u zgjerua ndjeshëm me dhjetëra institucione publike dhe private.
Por sot, 80 vite pas fillimeve të para dhe më shumë se 20 vite nga liberalizimi i sistemit, universitetet shqiptare ndodhen përballë një sfide të re dhe të pashmangshme: përfshirja në renditjet ndërkombëtare të universiteteve (ranking systems) si Times Higher Education (THE), QS, Shanghai apo U-Multirank. Është momenti që sistemi ynë arsimor të matë veten jo vetëm sipas standardeve të brendshme, por edhe përballë kritereve të vlerësimit global.
Janë së paku tri teza kryesore që e bëjnë përfshirjen në rankimetndërkombëtare jo vetëm të dëshirueshme, por të domosdoshme për të ardhmen e universiteteve shqiptare.
1- Renditjet globale rrisin transparencën dhe besueshmërinë
Për shumë vite, vlerësimi i universiteteve shqiptare është bërë në mënyrë të brendshme, shpeshherë pa indikatorë të krahasueshëm dhe me mungesë transparence. Rankimet ndërkombëtare ofrojnë kritere të qarta: cilësia e mësimdhënies, ndikimi i kërkimit shkencor, bashkëpunimi me industrinë, dimensioni ndërkombëtar dhe ndikimi social. Këto nuk janë thjesht numra për prestigj, por tregues që ndihmojnë universitetet të kuptojnë pikat e forta dhe të përmirësojnë dobësitë. Për studentët, prindërit, stafin akademik dhe partnerët ndërkombëtarë, një universitet i përfshirë në një sistem ndërkombëtar vlerësimi fiton automatikisht besueshmëri më të lartë.
2- Përfshirja në rankime ndihmon ndërkombëtarizimin dhe tërheqjen e studentëve të huaj
Një nga dobësitë historike të arsimit të lartë shqiptar ka qenë mungesa e prezencës ndërkombëtare. Ndërsa universitetet evropiane e shohin ndërkombëtarizimin si një shtyllë të identitetit të tyre, shumica e universiteteve shqiptare kanë funksionuar në një sistem të mbyllur. Përfshirja në renditje si THE apo QS është një mënyrë konkrete për të tërhequr studentë të huaj, partneritete akademike dhe kërkimore, si dhe për të rritur mobilitetin e stafit dhe studentëve. Në një epokë ku njohja ndërkombëtare është çelësi i suksesit, Shqipëria nuk mund të mbetet më jashtë lojës.
3- Garancia e cilësisë fillon me vetëvlerësim dhe krahasim të jashtëm
Rankimet globale nuk janë një qëllim në vetvete, por një mjet për zhvillim të brendshëm cilësor. Ato detyrojnë universitetet të vetëvlerësohen me rigorozitet, të përmirësojnë të dhënat, të ndjekin standarde të matshme dhe të orientohen drejt performancës. Për shembull, për të marrë pjesë në Impact Rankings të THE, universiteti duhet të dokumentojë kontributin e tij në Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm (SDGs) të Kombeve të Bashkuara (UN), duke lidhur arsimin me mjedisin, barazinë, shëndetin, teknologjinë dhe politikat publike. Kjo i jep rol të ri universitetit si motor zhvillimi shoqëror dhe jo thjesht si strukturë arsimore.
Sot, disa universitete shqiptare si Universiteti Polis, Universiteti i Durrësit “Aleksandër Moisiu” dhe Universiteti Europian i Tiranës kanë ndërmarrë hapat e parë në këtë drejtim, duke aplikuar në rankimet e Times Higher Education. Ky është një sinjal i qartë që ndryshimi ka filluar, por nuk duhet të mbetet përjashtim. Ai duhet të bëhet rregull dhe normë për të gjithë sistemin universitar shqiptar. Ministria e Arsimit dhe sporteve, institucionet rregullatore, vetë universitetet, publike dhe jopublike duhet të përfshihen në një strategji kombëtare për renditjen ndërkombëtare.
Sepse vetëm atëherë, universitetet shqiptare nuk do të jenë thjesht “në Shqipëri”, por do të bëhen pjesë e botës. Dhe është pikërisht ky vendi ku studentët tanë e meritojnë të jenë.
Top Channel