Një valë e të nxehtit me temperatura rekord në Finlandë në javët e fundit ka prekur drerët, duke vrarë shumë prej tyre dhe duke ngjallur frikë tek barinjtë e tyre.

Finlanda ka dalë nga një valë e të nxehtit 22-ditore me temperatura maksimale që arritën në 30 gradë Celsius, vala më e gjatë e të nxehtit e regjistruar që nga fillimi i regjistrimeve në vitin 1961, konfirmoi dje Shërbimi Meteorologjik Finlandez.

Në qytetin e Rovaniemit, i njohur si qyteti i Babagjyshit, zhiva mbeti në 26 gradë Celsius sot.

Thatësirat dhe zjarret në pyje të shkaktuara nga kjo nxehtësi e paparë kanë prekur drerët që jetojnë në rajon, tha për AFP-në Ann Olila, drejtoreshë e Shoqatës Kombëtare të Barinjve të Drerëve.

“Kemi pasur një valë shumë të gjatë dhe të ashpër të nxehtësisë këtu në Lapland dhe drerët vuajtën shumë”, tha ajo. Shumë prej tyre ngordhën, shtoi ajo, pa specifikuar numrin.

Sipas saj, megjithëse kjo kafshë arktike i toleron lehtësisht temperaturat polare, nxehtësia është “një histori tjetër”, sepse drerët “nuk janë në gjendje të rregullojnë temperaturën e trupit të tyre”.

Top Channel