Bullizmi online po denoncohet! Sektori kibernetik në Lezhë: Qytetarët po ndërgjegjësohen

05/08/2025 12:16

Në qytetin e Lezhës, fenomeni i bullizmit nëpërmjet rrjeteve sociale po merr një vëmendje të shtuar nga institucionet dhe qytetarët.

Oficerja e policisë së Lezhës për sektorin kibernetik, Suada Shyti thotë se qytetarët janë bërë më të vetëdijshëm dhe po denoncojnë rastet e bullizmit, duke ndihmuar në parandalimin e këtyre ngjarjeve të dhimbshme.

Rasti i fundit i kallëzuar është ai i pak ditëve më parë ku një vajzë u bullizua nëpërmjet mesazheve në një platformë sociale. Policia ka nisur menjëherë hetimet për zbardhjen e ngjarjes dhe marrjen e masave përkatëse.

Gjatë muajit korrik që lamë pas, në Lezhë u regjistruan 6 raste të bullizmit në rrjetet sociale. Sipas policisë, grupmosha më e prekur është ajo e adoleshentëve dhe të rinjve, të cilët përballen me këtë fenomen në shkolla dhe komunitet.

Policia e Lezhës, në bashkëpunim me institucionet arsimore dhe organizatat lokale, po forcon masat për parandalimin e bullizmit në rrjetet sociale. Përmes fushatave sensibilizuese dhe informimit të vazhdueshëm, synohet ngritja e ndërgjegjësimit tek familjet dhe të rinjtë, duke i inkurajuar ata të denoncojnë çdo formë të bullizmit.

Top Channel