
Policia greke ka nisur hetimet pas raportimeve se një grua britanike, e cila u zhduk nga një plazh në Greqi ndërsa bashkëshorti i saj ishte në gjumë, të jetë parë në ujërat pranë zonës.
59-vjeçarja Michele Ann Joy Bourda ndodhej në plazhin Ofrynio në Kavala përpara se të zhdukej, ndërsa nisi një operacion i madh kërkimi. Një instruktor sporti ka deklaruar se ka parë një grua që i ngjante Bourdës, duke notuar në ujëra të thella pranë plazhit.
Ai thotë se i ka kërkuar gruas të mos notonte më larg. Një zëdhënës i Rojës Bregdetare Helenike ka konfirmuar se kërkimi është zgjeruar në një zonë shumë më të madhe dhe do të vazhdojë për të gjetur Michele.
“Anijet patrulluese tani janë përqendruar në të gjithë Gjirin Strymonian dhe operacioni do të vazhdojë“, tha ia për “The Sun”.
Sipas autoriteteve, britanikja është parë për herë të fundit me bikini me gurë dekorativë, sandale plazhi të verdha dhe syze dielli të kuqe. Ajo kishte shkuar në plazh me bashkëshortin e saj, i cili, sipas raportimeve lokale, ishte duke fjetur kur gruaja u zhduk. Kur u zgjua, ajo nuk ishte më aty.
Një Silver Alert (alarm emergjent për persona të zhdukur) është lëshuar pasi autoritetet nuk kanë mundur ta lokalizojnë dhe kanë deklaruar se “nuk ka asnjë shenjë të saj”. Sipas mediave lokale, sendet personale të gruas janë gjetur në plazh pas zhdukjes së saj.
Një zyrtar i rojes bregdetare tha se britanikja kishte qenë “e vendosur përkohësisht” në qytetin Serres, në veri të Greqisë.
Ambasada britanike në Greqi gjithashtu lëshoi një njoftim alarmi duke thënë: “Michele Ann BOURDA është zhdukur më 01/08/2025 në plazhin Ofrynio, në Kavala. Ditën që u zhduk, ajo kishte veshur një rrobë banje me gurë dekorativë, këpucë uji të verdha dhe syze dielli plastike të kuqe. Jeta e saj është në rrezik”.
Zona e plazhit ku ajo u zhduk është e rrethuar nga toka bujqësore, banesa dhe një rezervuar i madh uji.
Top Channel