Skema e investimeve/ Ministrat Malaj e Denaj takojnë fermerët për 9 masat mbështetëse

04/08/2025 20:08

Me hapjen e aplikimeve për Skemën Kombëtare të Investimeve 2025 për sektorin bujqësor, duke ofruar një paketë financimi të integruar që përfshin kredinë e butë dhe mbështetje financiare përmes granteve, ministrat zbritën në terren për të informuar më shumë rreth saj.

Ministri i Financave Petrit Malaj dhe ministrja e Bujqësisë Anila Denaj u bënë thirrje fermerëve në të gjithë vendin që të përfitojnë nga mundësitë që ofrohen për të modernizuar dhe rritur kapacitetet e bujqësisë shqiptare.

“Fermerët mund të aplikojnë për grante deri në 50% të shpenzimeve për ndërtimin e serave, mekanikën bujqësore, sistemet e mbrojtjes së prodhimeve dhe zhvillimin e agropërpunimit, duke krijuar mundësi të reja për rritjen e vlerës së produkteve të tyre. Për të mos lënë jashtë vëmendjes agroturizmin, një nga elementët më të rëndësishëm sot për të ruajtur farën autoktonë, trashëgiminë tonë në kulinari dhe për të ardhur në ndihmë “Paketës së Maleve”, një nisëm e qeverisë shqiptare që sapo ka nisur dhe që në nisje të saj ka 2500 aplikime”, tha Denaj.

Ministri i Financave, Petrit Malaj, theksoi se qeveria shqiptare po punon për krijimin e modeleve që do të mbështesin fermerët në mënyrë të drejtpërdrejtë.

“Vetëm për vitin 2025 kemi vënë në dispozicion të sektorit të bujqësisë Skemën Kombëtare të Investimeve për vlerën e 20 milionë eurove. Kemi vendosur subvencionet për sektorin e bujqësisë në vlerën 45 milionë euro. Gjithashtu në fillim të këtij viti kemi lançuar edhe kreditë e buta për këtë sektor, në vlerën 250 milionë euro, e cila nëse do të kombinohej edhe me Garancinë Sovrane, të gjithë fermerët do të mund të përfitojnë kredi të buta me një normë interesi 2 % që do të garantohen deri në masën 70% nga shteti dhe vetëm 30% nga fermerët”, tha Malaj.

Janë të gjithë fermerët, agropërpunuesit, dhe sipërmarrësit në fushën e agroturizmit të cilët mund të përfitojnë nga 9 masa mbështetëse.

Afatet për aplikimin janë deri në datë 30 shtator 2025 ndërsa në dispozicion të fermerëve dhe SME-ve është edhe Garancia Sovrane me një normë interesi vetëm 2% dhe mbulim 70% kolateral nga shteti.

Top Channel