“Punojeni tokën, bijtë e mi”/ Dy vëllezërit kthehen në tokën e babait: Në emigrim fituam bukë, këtu shpirtin!

04/08/2025 12:19

Dy vëllezërit Isufaj nga fshati Çeprat i Vlorës, njësisë administrative Shushicë, të cilët kishin emigruar në Itali që në rininë e tyre, janë rikthyer pas shumë vitesh për të punuar tokën e trashëguar nga i ati.

Pasi kaluan dekada mes punëve në Itali dhe sakrificave , ata vendosën të kthehen “atje ku nisi gjithçka”, duke investuar kursimet në bujqësi moderne.

Çdo mëngjes, ende pa lindur dielli, vëllezërit ngrihen për të punuar arat: mbjellin perime stinore, kujdesen për vreshtat dhe sistemin e ujitjes, e nuk ndalen derisa nata bie. Edhe pse lodhja është e madhe, ata thonë se gëzimi i të punuarit në pronën e tyre ia vlen çdo mund.

Këtu ndjejmë tokën që na mban gjallë,” tregon njëri prej tyre. “Në Itali fituam bukën, por këtu fitojmë shpirtin”, shton më tutje.

Falë përvojës së fituar jashtë vendit, ata po fusin teknika të reja, duke rritur rendimentin dhe duke sjellë shembull për fqinjët që ende ngurrojnë të kthehen. Historia e tyre tregon se kthimi në rrënjë mund të jetë po aq i suksesshëm sa emigracioni, kur pasionit për tokën i shtohet përvoja dhe vendosmëria.

Vëllai i madh Dritan Isufaj tregon se ka punuar prej 20 vitesh në Itali, por puna dhe kënaqësia është në vendin tënd edhe pse është punë e lodhshme. “Ato që nxjerrim nga prodhimet e tokës asgjë nuk na ngelet çdo gjë shitet”. Mesazhi i Dritanit është, emigrantët që kanë mundësi të punojnë në tokat e tyre ne Shqipëri, të kthehen se këtu është shumë më mire.

U riktheva në tokën e babait pasi kjo tokë na mban gjallë”, thotë vëllai i vogël, Fationi, ndërsa shton se është i kënaqur me prodhimet. “Jam i kënaqur me prodhimet tona, shiten të gjitha dhe asgjë nuk shkon dëm. Lodhja është e madhe, por në vendin tënd çdo gjë bëhet më e lehtë”, përfundon ai.

 

Top Channel