
Nënkryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Agron Gjekmarkaj, ka reaguar përmes një deklarate publike ndaj retorikës kërcënuese të presidentit të Malit të Zi, Jakov Milatoviç, ndaj zëvendëskryeministrit shqiptar të Malit të Zi, Nik Gjeloshaj.
Demokrati e cilëson këtë qasje si shqetësuese dhe si një “cenim të drejtpërdrejtë të përfaqësimit të shqiptarëve”.
Ndaj i bën thirrje qeverisë shqiptare dhe Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme që ta ndjekin këtë ngjarje më nga afër.
Deputeti e mbyll fjalën e tij duke thënë se Shqipëria duhet të mbrojë interesin kombëtar me dinjitet dhe me përgjegjësi, jo përmes retorikës, por përmes qëndrimeve të qarta dhe veprimit diplomatik.
Reagimi i plotë:
Shqiptarët në Mal të Zi, malësorët dhe qytetarët e Tuzit, kanë qenë dhe mbeten një faktor thelbësor në proceset demokratizuese dhe integruese të Malit të Zi. Ata kanë kontribuar me përgjegjësi dhe vizion në forcimin e bashkëjetesës ndëretnike, në stabilitetin institucional dhe në orientimin perëndimor të vendit.
Pikërisht për këtë arsye, çdo sulm me retorikë kërcënuese ndaj një përfaqësuesi autentik e autokton si z. Nik Gjeloshaj, personalitet përfaqësues me integritet, zëvendëskryeministër i Malit të Zi, dhe aq më tepër kur vjen nga vetë Presidenti i Republikës, z. Jakov Milatović, është jo vetëm preokupues, por përbën një cenim të drejtpërdrejtë të përfaqësimit të shqiptarëve dhe të përpjekjeve të përbashkëta shqiptaro-malazeze për një shoqëri demokratike, gjithëpërfshirëse dhe europiane.
Në këtë kontekst, ftoj Qeverinë e Republikës së Shqipërisë dhe Ministrinë për Evropë dhe Punë të Jashtme të ndjekin nga afër këtë ngjarje, të kërkojnë sqarimet e nevojshme nga autoritetet malazeze dhe të mbështesin pa komplekse komunitetin shqiptar në Mal të Zi, në funksion të respektimit të standardeve demokratike dhe të përfaqësimit të drejtë dhe dinjitoz.
Nuk mund të ketë stabilitet afatgjatë dhe integrim europian në rajonin tonë pa barazi reale mes qytetarëve dhe pa respekt institucional për të gjithë komponentët kombëtarë të shteteve tona.
Shpreh mbështetjen time të palëkundur për z. Gjeloshaj dhe për të gjithë qytetarët shqiptarë në Mal të Zi. Është detyrë e çdo shteti serioz, përfshirë Shqipërinë, të mbrojë interesin kombëtar me dinjitet dhe me përgjegjësi, jo përmes retorikës, por përmes qëndrimeve të qarta dhe veprimit diplomatik.
Top Channel