
U njoh me mbylljen e hetimeve Ilir Meta, i pesti nën korrupsion në dosjen ku është e pandehur edhe ish-bashkëshortja Monika Kryemadhi, ish-vjehrra Fatime Kryemadhi dhe dy të tjerë, Ema Coku dhe Pirro Xhixho.
Avokati Kujtim Cakrani ishte i pranishëm si mbrojtës, ndërsa ish-presidenti Meta, u transportua nga 313 në ambientet e SPAK.
Nga ora 11:00 deri në orën 14:00, ish-presidenti dha deklarata mohuese dhe kundërshtuese para prokurorit Sotir Kllapi mbi episodin e CEZ DIA-s, duke insistuar se nuk ka patur asnjë preferencë për të përzgjedhur kompaninë e Kastriot Ismailajt për mbledhjen e borxheve. Për episodin tjetër të lobimit, ka shtuar se nuk ka asnjë informacion mbi pagesat e kryera. Ndërsa, për mos deklarimin e pasurisë ka deklaruar se kompetencat për të plotësuar formularët ia kishte lënë në mirëbesim bashkëshortes Monika Kryemadhi, e cila sipas ish-presidentit ishte marrë me këtë çështje.
Me mbylljen e hetimeve, për dhjetë ditë veprimi i parë që do të kryejë mbrojtja është dorëzimi i një memoje mbi veprimet hetimore.
Në deklaratën për mediat, pas seancës, avokati tha se Meta bëri shpjegime për tre akuzat që rëndojnë ndaj tij. “Nuk kishte asgjë të re. Mali i akuzave ra poshtë. Do të vazhdojmë me gjykim të zakonshëm“, tha Cakrani.
SPAK ia komunikoi akuzat Metës dhe Kryemadhit në fund të muajit maj dhe gjatë këtyre javëve kreu veprime të tjera hetimore, sikurse pyetja e një sërë dëshmitarëve dhe kryerje të akt ekspertizave financiare. Pasi edhe SPAK të marrë kohën e duhur, brenda të cilës do të presë qëndrimet e pesë të akuzuarve, fashikujt i zbresin gjyqtarit paraprak.
Top Channel