Kundërshtimet për Kodin e ri Penal, reagon Rama: Të alarmuarit të shmangin diellin, drafti i ekspertëve u prezantua për të mbledhur opinionet

04/08/2025 15:01

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas kritikave e kundërshtimet që ka marrë drafti i Kodit të ri Penal.

Përmes një postimi në rrjetin social X, kreu i qeverisë ironizon duke thënë se të alarmuarit duhet të kujdesen që të mos ekspozohen në diell. Më tej ai qartëson se drafti u prezantua për të mbledhur opinionet.

Më herët kryeministri  ka deklaruar se drafti duhet të marrë ‘ok’ nga Brukseli në mënyrë që të kalojë për votim në Kuvend.

Të alarmuarit nga drafti i Kodit të ri Penal dhe gojëmbyllja me ligj e forcave liridashëse politike dhe mediatike, mbase duhet të kujdesen që të mos ekspozohen shumë në diell, ndërkohë që drafti i ekspertëve të nderuar të fushës është prezantuar publikisht pikërisht për të mbledhur në mënyrën më demokratike dhe transparente të mundshme të gjitha opinionet rreth tij.

Hëpërhë problem më serioz që ka liria në Shqipëri nuk është as regjimi, as drafti i kodit të ri jo e jo, po masa domethënëse e atyre që e përdorin lirinë vetëm për të bërë sherr e shamata për mungesën e saj“, shprehet Rama.

Top Channel