“Do luftoj deri në fund, jo për vete”/ Berisha pas daljes nga SPAK: Po fshihen krime monstruoze të prokurorëve

04/08/2025 10:40

Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha, u pyet sot para SPAK nga gazetarja e TCH Anila Hoxha për kërkesën e avokatëve në dosjen “Partizani” në Themel, që të mos gjykoheshin nga GJKKO të pandehurit por nga një gjykatë tjetër, sepse sipas tyre SPAK i kontrollon gjykatësit e posaçëm.

Sali Berisha tha se në mënyrë të paligjshme, gjykatësi, të cilit i dorëzohet dosja, i kontrollohet korrespondenca dhe telefoni nga prokurori që i dorëzon dosjen.

“Tani, kjo nuk ka të bëjë me asnjë nga gjykatësit si person i veçantë, besoj se jam i qartë.

Kjo ka të bëjë me një parim që nuk ekziston kund në botë përveçse në Shqipëri, që gjykatësi, të cilit i dorëzohet dosja, i kontrollohet korrespondenca dhe telefoni nga prokurori që i dorëzon dosjen.

Kjo nuk mund të ndodhë. Kjo është një drejtësi, unë nuk mund të them, por ndoshta edhe në diktaturë nuk ka ekzistuar e tillë. Por kjo është absolutisht në kundërshtim me çdo parim.

Sigurisht që unë do të luftoj gjer në fund, nuk e kam për veten time, për një parim ndërkombëtar të drejtësisë për çdo qytetar shqiptar. Askush nuk duhet të jetë jashtë kontrollit ligjor.

Sot jashtë kontrollit ligjor është vetëm një grup këtu i skapistëve, të cilët me dokumente zyrtare fshehin krime monstruoze të prokurorëve që punojnë këtu. Kështu pra, çdo gjykatë, e cila është në kontrollin e prokurorit që çon dosjen, ka të njëjtin trajtim nga ne.

Sigurisht këta do marrin këto vendime, por zgjidhja është të krijohen trupa gjykuese jashtë kontrollit të tyre. Se këta kontrollojnë gjykatën speciale, nuk kontrollojnë gjykatën e Tiranës.

Por kjo do shkojë në gjykatën ndërkombëtare në Strasburg, do jetë çështje kryesore në Këshillin e Europës dhe afërmendshi do marrë turpin e tij me deklaratën që bëri afërmendsh”-u shpreh Berisha para SPAK.

Top Channel