
Zëvendëskryeministri shqiptar i Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti, dënoi gjuhën fyese ndaj shqiptarëve në ndeshjen e basketbollit në Kumanovë.
“Fjalët fyese dhe këngët që nxisin urrejtje, nuk kanë vend në shtetin dhe shoqërinë tonë”, tha ai duke shtuar se këto veprime përbëjnë një sulm të drejtpërdrejtë ndaj bashkëjetesës dhe barazisë në Maqedoninë e Veriut.
Kryetari i Tetovës, Bilall Kasami, po ashtu dënoi gjuhën e urrejtjes.
“Ajo që ndodhi në Kumanovë nuk është vetëm një moment turpi për sportin, por një goditje me grusht ndaj idesë më themelore të qytetarisë: që ne jemi të ndryshëm, por të barabartë. Fyerjet raciste nuk janë “shprehje spontane të pakënaqësisë”, por tërbime primitive që kërkojnë vend në një kohë që nuk u përket”, tha ai.
VMRO-DPMNE-ja i cilësoi thirrjet si të përgatitura nga struktura kriminale që duan të mbulojnë veprimtarinë e tyre me urrejtje dhe përçarje.
“Dënojmë çdo sulm nacionalist dhe gjuhë të urrejtjes, pa marrë parasysh se nga vijnë. Kjo i shkon për shtat vetëm rrymave dhe partive politike që me vite mbjellin politika të urrejtjes ndaj njëri tjetrit”, shtoi Brane Petrushevski, deputet i VMRO-DPMNE-së.
Veprimet i dënoi edhe opozita.
“Dje në Kumanovë, në një ndeshje basketbolli, në prezencë të Kryeministrit Mickovski, përfaqësues të VLEN-it, ministrit të punëve të Brendshme Toshkovski e të tjerë pushtetarë, neve, shqiptarëve na është sharë nëna, familja, origjina, fisi dhe fara në kor nga tifozë maqedonas”, tha Arben Taravari, Kryetar i Aleancës për Shqiptarët.
BDI kërkon dorëheqjen e dy zëvendësministrave nga radhët e VLEN.
“BDI kërkon përgjegjësi politike për skandalin në Kumanovë: Të dorëhiqen Astrit Iseni dhe Safije Sadiki Shaini. Njëkohësisht, kërkojmë që të gjithë përfaqësuesit shqiptarë në Qeveri që janë në pozita kyçe ekzekutive, të distancohen publikisht nga ky akt i papranueshëm dhe ta ngrenë këtë çështje në mbledhjen e ardhshme të Qeverisë”.
Top Channel