
Trashëgimia e Konispolit, shpallet ansambël arkitektonik urban me vendim të qeverisë
Konispoli është shpallur Ansambël Arkitektonik Urban me një vendim të veçantë të qeverisë, duke marrë një status që përtej vlerësimit krijon edhe mundësinë për mbrojtjen dhe restaurimin e banesave karakteristike që po shkojnë drejt rrënimit.
Qyteti që ruan një trashëgimi të pasur urbane dhe kulturore, shquhet për ndërtesat dykatëshe, të ndërtuara në gur e të skalitur me mjeshtëri, rrugicat me kalldrëm, oborret me funksion mbrojtës dhe organizimin e lagjeve me emra fisesh të hershëm. Të gjitha këto i japin Konispolit fizionominë e një qyteze të vjetër tregtare me jetë të zhvilluar qytetare.
Sipas arkeologut dhe studiuesit Halil Shabani, statusi i ri është një mundësi për të mos lejuar që kjo trashëgimi të humbasë.
“Besoj se e gjithë kjo është vendosur mbi një trashëgimi shumë të hershme. Konispoli daton që nga periudha e paleolitit të vonë me shpellën e Kreshmoit, pasuar nga Çuka e Aetoit në antikitetin iliro-epirot, në antikitetin e vonë me vendbanimin e Bregut të Sterrës ose Haurëzi, dhe në mesjetë banorët u ngjitën në shtatë kodrat ku është sot Konispoli. Mendoj se ne duhet të merremi të paktën me këto që i kemi në gjendje për restaurim, me arkitekturën e banesave. Kemi 7 banesa me status të veçantë të trashëgimisë kulturore dhe pothuajse janë gati më rrënim e sipër të gjitha, përveç shtëpisë më në gjendje të Shqfqet Haxhiut.”, shprehet Halil Shabani, arkeolog studiues.
Ndër banesat më të rëndësishme të qytetit, veçohen ato të familjes Taka, përshirë edhe banesën e valltarit legjendar të Çamërisë, Osman Taka, një figurë ikonike e traditës çame. Edhe kjo shtëpi, si shumë të tjera, ka nevojë për ndërhyrje restauruese.
Shkëlqim Shero, ish-kryetar i Këshillit Bashkiak të Konispolit, thekson se mungesa e promovimit e ka lënë Konispolin jashtë hartës turistike deri tani.
“Nuk është bërë asnjë lloj promovimi dhe ka turistë shumë të rrallë që shkëputen nga Ksamili kur koha është e papërshtatshme për plazh. Vijnë edhe vizitorë të rrallë që i tërheq vendi lir, kalojnë nga Greqia për në Shqipëri. Këtu kemi resurse kulturore, qytetare e arkeologjike, përfshi shpellën e Kreshmoit, një vendbanim 26 mijëvjeçar i dëshmuar tashmë nga arkeologët shqiptarë e amerikanë.”, shprehet Shrro.
Situata është po aq shqetësuese edhe jashtë Konispolit. Në fshatrat e zonës së Çamërisë si Markat dhe Ninat, ndodhen 36 banesa të tjera të shpallura monumente kulture, përfshirë Kullën e Janit, banesat e Xhevat Resulit, Zeqo Mustafajt, Sino Shabanit dhe Veledin Hamitit të gjitha në prag të rrënimit. Ndërtesat, të njohura për strukturën me harqe guri, hajate të hapura, kalldrëme dhe objekte mbrojtëse të nëndheshme, janë të pabanuara dhe të pambrojtura.
Statusi i Ansamblit Arkitektonik Urban sipas specialistëve i jep Konispolit njohje zyrtare si zonë me vlera të veçanta historike dhe kulturore, duke mundësuar edhe mbrojtje ligjore më të fortë, restaurim dhe rivitalizim me fonde publike apo në bashkëfinancim me pronarët si dhe promovim si destinacion turistik.
Top Channel