
Drejtoresha e Radio Televizionit Shqiptar, Eni Vasili, tregon që institucioni që drejton prej pak muajsh është në krizë.
Ajo i është drejtuar ministrit të Financave, Petrit Malaj, me një kërkesë për mbështetje financiare prej 200.000.000 lekësh shtesë nga Buxheti i Shtetit, ku thotë se RTSH është në një situatë të vështirë financiare. Për këtë, Vasili ka disa argumente, duke nisur me nivelin e ulët, sikurse e cilëson, të tarifës së aparatit televiziv.
Po ashtu, sipas saj, nuk ka financim buxhetor në masën 100% për shpenzimet e programeve që financon Buxheti i Shtetit, ndërsa thotë se ka vlera shumë të larta për të drejtat televizive e sportive, të kontraktuara në vite e të mbetura të palikuiduara.
Vasili pranon se ndryshimet në stafet drejtuese gjatë periudhës 2021-2024, kanë sjellë problematika në shpenzime gjyqësore si rezultat i largimit nga puna të punonjësve. Sipas shkresës së dorëzuar në Ministrinë e Financave, që nga muaji korrik i vitit të kaluar janë shpenzuar 326.823.152 lekë në çështje gjyqësore, gjyqet janë fituar nga ish-punonjës të aksidentuar në punë ose të larguar nga puna.
Drejtoresha e RTSH-së kërkon buxhet shtesë, për ta përdorur për ‘prodhime filmike e artistike me rëndësi ndërkombëtare’, ‘Orkestrën Simfonike të RTSH-së dhe Kinematografinë’, ‘projekte teknike për futjen e teknologjive të reja’.
Megjithatë, ajo paralajmëron se më parë do të kërkojë një auditim të plotë të strukturës dhe projekteve të RTSH-së, për të kuptuar se ku kanë përfunduar fondet publike.
Top Channel