Referencat rrisin detyrimet ndaj taksave, tarifa e ndërtesës dhe infrastrukturës më e shtrenjtë përgjatë bregdetit

03/08/2025 15:02

Si pasojë e rritjes së çmimeve të referencës në disa zona edhe mbi 200%, pronarët do të duhet të paguajnë më shumë detyrime ndaj taksës së ndërtesës së banimit.

Bazuar në shkallën e taksës në rang vendi, detyrimi arrin sa 0.05% e vlerës së apartamentit.

Të gjithë individët të cilët kanë prona përgjatë bregdetit në zonat ku dhe çmimet e referencës do të jenë më të larta sipas projektligjin e ri të depozituar, do tu shtrenjtohet taksa e ndërtesës.

Me një vlerë prej 0.05% aktualisht, pushteti vendor ka arkëtuar më shumë të ardhura nga taksa e ndërtesës në gjysmën e parë të vitit. Të dhënat zyrtare të Ministrisë së Financave, tregojnë se 61 bashkitë në vend kanë mbledhur afro 4.7 miliardë lekë apo 47 milionë euro, shifra më e lartë e dekadës së fundit.

Me referencat e reja detyrimi që duhet të paguhet është edhe më i lartë.

“Automatikisht kur rritet referenca rritet dhe përqindja. Sepse 0.05% për 1 milionë lekë të vjetra është një lloj takse dhe për 2 milionë ndryshon. Psh marrim zonën 13 në Durrës që mori një çmim të pakuptueshëm”, tha Erjon Alimema, ekspert i pasurive të paluajtshme

Por nga ndryshimet e çmimeve të referencës ndikohet edhe taksa e infrastrukturës.

“Nëse një ndërtues aplikonte për një leje ndërtimi për 1 mijë metra dhe referenca në atë zonë ka qenë 50 mijë lekë e tani ka vajtur në 100 mijë lekë nëse për taksën e parë do paguante 400 mijë euro do paguajë 800 mijë euro se ndryshon çmimi referencës dhe llogaria për taksën e infrastrukturës bëhet çmim reference bashkë me volum ndërtim”, u shpreh Alimema.

Qeveria parashikon që të mbledhë afro 20 milionë euro shtesë nga taksa e pasurisë në vitin 2025. Ndërsa taksa e infrastrukturës që ndryshon nga njëra bashki në tjetrën teksa përsëri do të gjenerojë më shumë të ardhura.

Zbatimi i referencave të reja fillon nga 1 janari 2026, njëkohësisht edhe detyrimi ndaj kësaj takse ndërtese do të ndryshojë .

Por kjo taksë  teksa aktualisht qëndron në 0.05%, një projektligj është i depozituar në kuvend i cili pritet të diskutohet në komisionet parlamentare për një vlerë më të ulët të saj dhe një ndryshim taksash për shtëpitë e dyta apo të treta.

 

 

 

Top Channel