
Emmanuel Macron denoncoi “mizorinë e turpshme” dhe “çnjerëzimin e pakufizuar” të Hamasit në X, pas videove të fundit të pengjeve izraelite të mbajtura në Gaza, ku ata duken në gjendje të rënduar dhe të rraskapitur.
“Një mizori e turpshme, një çnjerëzimi i pakufizuar, kjo është ajo që mishëron Hamasi. Imazhet e padurueshme që tregojnë pengjet izraelite të mbajtura në Gaza na e kujtojnë këtë me tmerr”, shkroi presidenti francez, duke nënvizuar se prioriteti absolut është lirimi i menjëhershëm i të gjithë pengjeve.
Une cruauté abjecte, une inhumanité sans limite : voilà ce qu’incarne le Hamas.
Les images insoutenables diffusées ce matin, montrant des otages israéliens détenus à Gaza, le rappellent avec horreur.
Nous pensons avec émotion à Evyatar David, à Rom Braslavski, à tous les otages…
— Emmanuel Macron (@EmmanuelMacron) August 3, 2025
Presidenti francez thotë se po mendon “me dhembshuri për Aviatar David, Rom Braslavsky dhe të gjithë pengjet që mbahen ende në Gaza, si dhe familjet dhe të dashurit e tyre që kanë qenë në ferr për më shumë se 660 ditë”.
Ai gjithashtu premtoi të vazhdojë “të veprojë pa ndërprerje” për të “arritur këtë lirim të pakushtëzuar, për të zbatuar një armëpushim pa vonesë dhe për të lejuar shpërndarjen masive të ndihmës humanitare, e cila mbetet e bllokuar jashtë Gazës”.
Ndërkohë, Parisi po vazhdon operacionet e tij, të cilat filluan të premten, me dërgimin nga ajri të ndihmës humanitare. Një total prej 40 tonësh mallrash pritet të transportohen me avion nga Franca në enklavën palestineze, e cila kërcënohet nga uria, sipas OKB-së.
Presidenti francez, i cili njoftoi në fund të korrikut se Franca do ta njihte zyrtarisht shtetin e Palestinës në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në shtator, kujton gjithashtu nevojën për një “zgjidhje politike për të ardhmen.
“Kjo zgjidhje është ajo e dy shteteve, Izraelit dhe Palestinës, që jetojnë krah për krah në paqe”, tha Macron.
Megjithatë, ai u përpoq të eliminojë çdo “paqartësi” duke thënë: “Në këtë perspektivë politike…, ne kërkojmë demilitarizimin e plotë të Hamasit, përjashtimin e tij të plotë nga çdo formë qeverisjeje dhe njohjen e Izraelit nga Shteti i Palestinës”
Top Channel