Në turizëm punojnë të huaj, plotësojnë mungesat për fuqi punëtore në hotele dhe në restorantet në bregdet

02/08/2025 12:24

Durrësi po përjeton një tjetër verë të ngarkuar me turistë, por bashkë me rritjen e numrit të vizitorëve këtë sezon është rritur edhe kërkesa për punonjës sezonalë.

Me mungesën e fuqisë punëtore vendase, shumë biznese janë detyruar të punësojnë të huaj për të mbuluar nevojat.

Në shumë prej hoteleve dhe restoranteve punojnë tashmë shtetas të ardhur nga vende të ndryshme.

“Jam nga Filipinet dhe kam ardhur në Shqipëri në maj 2024. Që nga ajo ditë jam ndjerë shumë mirë dhe kam vendosur të qëndroj. Më pëlqen fakti që kultura këtu i ngjan asaj në vendin tim dhe njerëzit më trajtojnë si pjesë të familjes. Ndihem e sigurt, e qetë dhe kam gjithçka që më nevojitet. Aktualisht jemi rreth 200 ose më shumë filipinas që punojmë këtu”, thotë punonjësja nga Filipinet.

“Jam Salahddin, 22 vjeç dhe vij nga Maroku. Kam ardhur në Shqipëri për të punuar dhe për të shtuar më shumë përvojë në karrierën time. Më pëlqen ky vend, kultura dhe shumë gjëra të tjera që ofron. Jam i specializuar në fushën e hotelerisë dhe besoj se njohja me kultura të ndryshme dhe përvoja të reja do të më ndihmojnë që të ndërtoj një karrierë të suksesshme”, shprehet një djalë nga Maroku.

Kryetari i Shoqatës së Turizmit për Durrësin, Eduard Xhepa, thotë se kjo është kthyer në një domosdoshmëri për sektorin.

Ky realitet po e vendos Shqipërinë gjithnjë e më shumë në hartën e vendeve pritëse për fuqinë punëtore të huaj në turizëm.

 

Top Channel