
Një çështje e ndjeshme ligjore që përfshin futbollistin maroken Achraf Hakimi është rikthyer sërish në vëmendje, pikërisht në një periudhë kur ai po përjeton kulmin e karrierës së tij dhe madje po përmendet si kandidat për Topin e Artë.
Ngjarja e dyshuar ka ndodhur më 25 shkurt 2023, një ditë para një ndeshjeje të rëndësishme të PSG-së, të cilën Hakimi e humbi.
Një grua pretendon se e ka njohur futbollistin përmes Instagramit dhe është dërguar në shtëpinë e tij me një makinë të porositur nga vetë ai. Sipas deklarimeve të saj, Hakimi e ka puthur dhe prekur pa pëlqimin e saj, edhe pasi ajo kishte shprehur qartë refuzimin. Ajo thotë se arriti ta shtyjë dhe të largohet nga banesa duke thirrur një shoqe për ndihmë.
Por tashmë në këtë histori ka hyrë edhe Kylian Mbappé, ish-shok skuadre i Hakimit te Paris Saint-Germain.
Ai ka dhënë një deklaratë në polici në mbështetje të mikut të tij, ku është shprehur qartë: “Achraf Hakimi është shumë respektues ndaj grave. Edhe kur kemi dalë dhe ka pirë, nuk e kam parë kurrë të sillet në mënyrë të papërshtatshme. Nuk kam dëgjuar asnjë femër që të ankohet për të.”
Mbappé ka rrëfyer gjithashtu se natën kur Hakimi mori vesh për hetimin, ishte emocionalisht i tronditur dhe shpërtheu në lot. Ai ka ngritur dyshime se çështja mund të jetë një kurth i organizuar për përfitime financiare, duke përmendur mesazhe të zbuluara nga pala akuzuese. Në një prej tyre, gruaja thuhet të ketë shkruar: “Do ta vjedhim!”, edhe pse më vonë ajo ka deklaruar se ishte një shaka për të ulur tensionin.
Rikthimi i kësaj çështjeje në media ndodh në një moment kyç për Hakimin, i cili po shndërrohet në një nga lojtarët më të mirë në skenën ndërkombëtare. Kjo ka bërë që disa analistë të ngrenë pyetjen nëse rilindja e këtij rasti është një përpjekje për të dëmtuar imazhin e tij publik dhe për të ndikuar në karrierën e tij në momentin më të mirë të saj.
Për momentin, autoritetet franceze vazhdojnë hetimet, ndërsa opinioni publik mbetet i ndarë: mes mbështetjes për një futbollist me profil të lartë dhe nevojës për drejtësi dhe ndriçim të plotë të çështjes.
Top Channel