
Viti 2025 shënon një tjetër sukses për Universitetin Europian të Tiranës në fushën e projekteve dhe ndërkombëtarizimit.
UET është universiteti me më shumë projekte të fituara në nivel botëror në skemën Erasmus Capacity Building for Higher Education financuar nga Bashkimi Europian, dedikuar rritjes së kapaciteteve në arsimin e lartë përmes bashkëpunimit shumëpalësh. Konkretisht, këtë vit, UET ka fituar 10 projekte Erasmus CBHE në shumën 1 mln euro.
“Kjo i dedikohet në radhë të parë një modeli të veçantë institucional që ne kemi adaptuar, që është një model unik, në krahasim me vendet e rajonit, duke marrë trajtën e një spinoff dhe një grumbullim të ekspertizës. Më shumë kjo ka lehtësuar dhe ka rritur eficensën e rritjeve të fondeve duke na renditur, besoj, ndër universitetet më të rëndësishme në vend, sa i takon numrit të projekteve që ne kemi marrë në kuadër të Erasmus Plus. Një veçanti të dytë do të konsideroja lidhjen e projekteve tona të fituara me ato që janë edhe prioritete të agjendës europiane, qoftë në fushën e digjitalizimit, tranzicionit energjetik, por në veçanti do të konsideroja punësimin e të rinjve”, shprehet Pro. Asoc. Dr. Selami Xhepa, President i UET
UET është rritur gjatë tre viteve të fundit me shifra eksponenciale sa i përket thithjes së fondeve dhe menaxhimit të suksesshëm të tyre. Në qoftë se në vitin 2022, kishte vetëm 8 projekte Erasmus Capacity Building for Higher Education të fituar, dy vite më vonë UET ka marrë 17 projekte nga Erasmus Plus.
“UET ka aksesuar më shumë se 15 skema në projektet e Bashkimit Europian, nga të cilat ka gjeneruar një fond prej bvi 8 milionë euro, në dekadën e fundit. Skema Jean Monnet Centre of Excellence, Digital Europian, Horizon Europë janë ata që ne na bëjnë të ndihemi krenarë. Përveç projekteve UET tenton të ndërkombëtarizojë projektet e veta duke pasur aktualisht në fokus tre diploma, me universitete europiane, të cilat janë në fusha të ndryshme, siç janë media dhe digjitalizimi, sipërmarrja e kështu me radhë që janë Erasmus Mundus Joint Degree. Sa i takon shkëmbimit të studentëve dhe stafit, UET është gjithashtu shumë i angazhuar. Në dekadën e fundit, UET ka dërguar mbi 500 studentë dhe 300 staf akademik dhe administrative në mbi 150 universitete në mbarë Europën”, thotë Ketrina Çabiri Mijo, Drejtuese Zyrës së Projekteve UET
Objektivi kryesor i UET mbetet kalimi drejt projekteve më madhore dhe me impakt më të madh për shoqërinë, të cilat kanë të bëjnë me aspekte të vërteta kërkimore, qoftë me karakter aplikativ, qoftë me karakter shkencor.
Top Channel