Rusia nuk ndalet, Putin deklaron avancimin e trupave ruse në Ukrainë dhe paralajmëron: Objektivat tona nuk kanë ndryshuar

01/08/2025 14:30

Presidenti rus Vladimir Putin ka deklaruar se objektivat e Rusisë në Ukrainë nuk kanë ndryshuar dhe se forcat ruse po avancojnë përgjatë gjithë vijës së frontit.

Deklarata u bë gjatë një konference për shtyp së bashku me presidentin autokrat të Bjellorusisë, Alexander Lukashenko.

Sipas raportimeve të agjencisë Reuters, Putin theksoi se sistemi i ri raketor “Oreshnik”, një armë e përfolur për fuqinë shkatërruese, ka hyrë në prodhim masiv dhe dërgesat e para tashmë i janë dorëzuar ushtrisë ruse.

Megjithatë, ai u shpreh i gatshëm që bisedimet për paqe me Ukrainën të vazhdojnë, edhe pse paralajmëroi që të mos ketë pritshmëri të tepruara për rezultatet që mund të arrihen.

“Çështja e zgjidhjes së konfliktit nuk mund të trajtohet e shkëputur nga siguria evropiane në tërësi,” tha Putin, duke rikthyer në vëmendje kërkesat e mëparshme të Kremlinit që përfshijnë rishikimin e pozicionimeve të NATO-s në Evropën Qendrore dhe Lindore.

Deklaratat e Putinit vijnë në një kohë kur tensionet në vijën e frontit mbeten të larta dhe ndërkombëtarisht janë rikthyer thirrjet për një zgjidhje diplomatike të konfliktit.

Top Channel