
Një ngjarje historike për Kolumbinë, ku për herë të parë një ish-president është dënuar.
Álvaro Uribe, figura më e fuqishme politike e djathtës kolumbiane në dy dekadat e fundit, është dënuar me 12 vite arrest shtëpiak, pas shpalljes fajtor për manipulim të dëshmitarëve dhe mashtrim procedural.
Vendimi, i cili pritet të shpallet zyrtarisht të premten, shënon fundin e një epoke të mbushur me lavdi dhe polemika. Uribe, 73 vjeç, ka qenë një nga figurat më të polarizuese në politikën e Amerikës Latine, hero për shumë kolumbianë për luftën ndaj karteleve të drogës dhe guerrilasve të majtë, por edhe i akuzuar shpesh për lidhje të dyshimta me paramilitarë të djathtë.
Gjykim historik dhe prova dërrmuese
Hetimi ndaj tij nisi në vitin 2018 dhe u rimor me intensitet të ri nën drejtimin e Prokurores së Përgjithshme Luz Camargo, e emëruar nga presidenti aktual Gustavo Petro – një ish-guerilas dhe armik i betuar politik i Uribes. Në procesin gjyqësor, i cili nisi në maj të këtij viti, u paraqitën mbi 90 dëshmitarë, përfshirë edhe një ish-luftëtar paramilitar që deklaroi se ishte kontaktuar drejtpërdrejt nga Uribe për të ndryshuar dëshminë e tij.
Ish-presidenti, nga ana e tij, ka mohuar çdo akuzë dhe e ka cilësuar procesin si “hakmarrje politike”.
Reagimet dhe tensionet politike
Pavarësisht vendimit të gjykatës, Uribe mbetet një figurë tepër e popullarizuar në Kolumbi. Protesta të mëdha shpërthyen më parë në vitin 2019, kur ai u padit për herë të parë. Edhe të hënën, mbështetës të tij u mblodhën jashtë gjykatës, duke mbajtur maska me fytyrën e tij dhe duke brohoritur: “Uribe, i pafajshëm!”.
Në arenën ndërkombëtare, aleatët e tij të së djathtës kanë reaguar gjithashtu. Ish-senatori amerikan Marco Rubio ka kritikuar ndjekjen penale, duke e quajtur atë “politizim të drejtësisë nga gjyqtarë radikalë”, ndonëse pa paraqitur prova.
Dosje të tjera dhe hetime në vazhdim
Uribe përballet gjithashtu me hetime të tjera për krime të rënda. Një prej tyre ka të bëjë me një masakër të vitit 1997 ndaj fermerëve, gjatë kohës kur ai ishte guvernator i Antioquia-s. Ndërkohë, në Argjentinë është ngritur një padi në bazë të juridiksionit universal për rolin e tij të dyshuar në më shumë se 6,000 ekzekutime dhe zhdukje me forcë të civilëve gjatë presidencës së tij.
Top Channel