Aksidenti tragjik në Borsh/ Çifti i bashkëshortëve u nisën për të shitur peshq, “Benz”-i me shpejtësi skëterrë

31/07/2025 07:25

Një aksident i rëndë u regjistrua ditën e djeshme në rrugën që të çon në plazhin e Borshit, një segment i frekuentuar si nga banorët, ashtu edhe nga turistët.

Një furgon që transportonte peshk dhe në të cilin udhëtonin dy bashkëshortët Kastriot dhe Donika Mehmeti, përkatësisht 62 dhe 54 vjeç, është goditur nga një automjet tip “Mercedes”.

Përplasja ka qenë e fortë, ndërsa pas aksidentit, automjeti është spostuar në drejtim të trotuarit, duke rrezikuar edhe kalimtarët. Bashkëshortët, edhe pse kanë qenë me rrip sigurimi, nuk kanë mundur të jetojnë për shkak të goditjes së fortë. Ata janë transportuar drejt morgut të spitalit të Sarandës. Sipas dëshmitarëve në vendngjarje, dyshohet se shkaku i aksidentit ka qenë shpejtësia tepër e madhe e Benz-it, i cili i ka goditur drejt për drejt.

Të plagosurit janë transportuar me urgjencë drejt spitalit të Sarandës, ndërkohë që drejtuesi i mjetit Mercedes, Myfit Qejvanaj, është në gjendje të rëndë me frakturë në kokë dhe hemorragji dhe është transportuar me helikopter drejt Traumës në Tiranë, ndërsa pasagjeri Petrit Kapllanaj ndodhet nën kujdesin e mjekëve.

Gjendja e tij shëndetësore raportohet të jetë e stabilizuar, ndërkohë që policia ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit.

Top Channel