
Një aksident i rëndë rrugor është regjistruar rreth orës 14:00 të kësaj të mërkure përgjatë rrugës që të nxjerr në bregdetin e fshatit Borsh.
Në ngjarje janë përfshirë dy automjete, një furgon që transportonte peshk, ku udhëtonin një çift bashkëshortësh, burri 62 vjeç dhe gruaja 54 vjeçe. Për shkak të përplasjes së fortë, të dy humbën jetën në vendin e ngjarjes.
Ndërkohë, në një nga automjetet e tjera ndodheshin dy të rinj, përkatësisht 30 dhe 28 vjeç. I riu 30-vjeçar ka marrë dëmtime të rënda dhe është transportuar me urgjencë në Spitalin e Sarandës, ku ndodhet në gjendje kritike për jetën. Ndërsa 28-vjeçari është jashtë rrezikut, në gjendje të stabilizuar.
Shkaqet e aksidentit mbeten ende të paqarta, por dyshohet se manovrimi i gabuar apo shpejtësia e lartë mund të kenë qenë faktorë që çuan në këtë ngjarje tragjike. Policia ka nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të aksidentit.
“Sot, rreth orës 14:20, në rrugën e Borshit, janë përfshirë në një aksident rrugor një automjet tip “Benz” me një mjet të llojit furgon. Si pasojë e përplasjes, kanë humbur jetën në vendngjarje drejtuesi i furgonit, shtetasi K. M., rreth 60 vjeç, dhe një pasagjere në këtë mjet, e cila dyshohet të jetë bashkëshortja e tij, punohet për identifikimin e saj.
Gjithashtu, janë dëmtuar dy shtetasit që ndodheshin në automjetin tip “Benz”, konkretisht drejtuesi i mjetit, shtetasi M. Q., dhe pasagjeri, shtetasi P. A., të cilët po transportohen në spital për ndihmë mjekësore. Grupi hetimor po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të aksidentit“-njofton policia.
Top Channel