
Bota e sportit është tronditur nga lajmi i ndarjes nga jeta të Laura Dahlmeier, dy herë kampione olimpike në biatlon, e cila humbi jetën në një aksident alpinizmi në Pakistan.
Lajmi është konfirmuar zyrtarisht të mërkurën nga menaxhmenti i saj.
Sipas Klubit Alpin të Pakistanit, aksidenti ndodhi të hënën në mesditë, në një lartësi prej rreth 5,700 metrash, në majen Laila Peak (6,069 metra), që ndodhet në lugunë Hushe të rajonit Gilgit-Baltistan, në veri të vendit.
Dahlmeier ishte duke ngjitur malin me partnerin e saj të alpinizmit kur u godit papritur nga një rrëshqitje shkëmbinjsh, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme, sipas të dhënave të publikuara nga gazeta gjermane Die Welt. Partneri i saj fatmirësisht mbeti i padëmtuar dhe qëndroi në vendngjarje.
Një operacion kërkimi dhe shpëtimi u nis menjëherë pas aksidentit, por u ndërpre në mbrëmjen e 29 korrikut për shkak të moti të keq, i cili nuk lejonte ndërhyrjen me helikopter në zonën e thellë malore.
Laura Dahlmeier, 30 vjeçe, ishte një nga emrat më të ndritur të biatlonit në dekadën e fundit, me një karrierë të jashtëzakonshme që kulmoi në Lojërat Olimpike Dimërore të PyeongChang 2018, ku fitoi dy medalje të arta dhe një të bronztë. Ajo ishte gjithashtu shtatë herë kampione bote dhe konsiderohej si një nga sportistet më të kompletuara dhe të përkushtuara të disiplinës së saj.
Pas tërheqjes nga sporti elitar, ajo iu përkushtua natyrës, maleve dhe aktiviteteve alpinistike, duke ndjekur një pasion që në fund i mori jetën.
Humbja e Laura Dahlmeier ka shkaktuar dhimbje të madhe në Gjermani dhe në mbarë botën sportive. Personalitete, institucione dhe tifozë kanë shprehur ngushëllimet e tyre për një kampione që do të mbahet mend jo vetëm për medaljet, por për shpirtin luftarak, përulësinë dhe dashurinë e saj për natyrën dhe jetën aktive.
Top Channel