Vëllai i policit që dhunoi kamerierin në Vlorë i shkruan Berishës: I riu e ofendoi, klienti e qëlloi me pëllëmbë pasi u fye

29/07/2025 13:34

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha, ka ndarë mesazhin që i ka ardhur nga Flamur Isufi, vëllai i oficerit Ardian Isufi që u përfshi në konflikt me një kamerier në Vlorë.

Isufi pretendon se vëllai i tij nuk ka qëlluar, por ka ndërhyrë për të shuar konfliktin pasi i riu ka fyer klientin.

“Edhe një herë për keqtrajtimin e kamarierit në Vlorë! Kam dënuar dhe dënoj me forcën më të madhe goditjen e 17-vjeçarit për një shishe uji në lokal! Por vëllai i oficerit të policisë që u akuzua për goditjen e kamarierit mohon në mënyrë kategorike se oficeri ka goditur vetë kamarierin, ndërkohë që një grup prej disa vetësh kanë goditur dhe plagosur rëndë oficerin, i cili ndodhet në reanimacion. Avokati i oficerit insiston se ky i fundit nuk e ka goditur 17-vjeçarin! Për transparencë, po publikoj këtu mesazhet që ka dërguar në telefonin tim Flamur Isufi, vëllai i oficerit! Uroj që jashtë çdo subjektivizmi, kjo ngjarje të zbardhet plotësisht”-shkruan Berisha

Unë që po të shkruaj quhem Flamur Isufi. Unë jam vëllai i oficerit të policisë Ardian Isufi.
Ngjarja nuk është si jua kanë thënë. Vëllai im nuk e ka goditur kamarierin, përkundrazi, për të shmangur konfliktin në tavolinë, për shkak të sjelljes provokuese të kamarierit, që qe e paramenduar nga pronari i lokalit për shkak të detyrës që ka mbajtur në policinë e Vlorës, është ngritur nga tavolina dhe e ka këshilluar të jetë i sjellshëm me klientët. Kamarieri ka vazhduar debatin me personin tjetër, duke e ofenduar. Personi i ndodhur përballë fyerjeve godet me pëllëmë kamarierin. I ndodhur përballë këtij fakti, vëllai im është futur në mes dhe i ka ndarë, duke hequr personin që kishte në tavolinë. Në asnjë moment vëllai im, siç e shikoni dhe në video, nuk ka kryer asnjë veprim të paligjshëm që të cenonte kamarierin”-thuhet ndër të tjera në mesazhin e shkruar nga vëllai i oficerit, i cili po ashtu shton se ky i fundit është në reanimacion me shpatull të thyer, me fraktura në trup, në kokë dhe fytyrë.

Top Channel