
Tottenham Hotspur ka filluar kontaktet me ndërmjetës për të kuptuar situatën e Rodrygos te Reali, me klubin nga Londra e Veriut që synon të përgatitet për një merkato të rëndësishme, nëse Son Heung-min largohet këtë verë.
Sipas “TBR Football”, braziliani i Real Madrid-it është një nga emrat që Tottenham e sheh si zëvendësues potencial për yllin korean, i cili po shqyrton seriozisht një ofertë nga LAFC në MLS.
Klubi amerikan ka bërë një përpjekje të re për ta marrë sulmuesin, dhe Son po e konsideron me kujdes mundësinë për të nisur një aventurë të re në SHBA.
Nëse largimi i Son realizohet, Spurs janë të gatshëm të thyejnë rekordin e tyre të transferimeve për të marrë Rodrygo-n, që nga ana e Real Madrid-it vlerësohet rreth 70 milionë paund. Klubi anglez është gjithashtu gati t’i ofrojë 24-vjeçarit statusin e lojtarit më të paguar në skuadër, si pjesë e një projekti ambicioz dhe tërheqës për sezonin e ardhshëm.
Rodrygo, i cili sezonin e kaluar realizoi 14 gola dhe dha 11 asistime në 54 ndeshje, e ka kaluar pjesën më të madhe të kohës në krahun e djathtë, por preferon të luajë nga e majta – pozicion që Tottenham mund t’ia ofrojë me më shumë minuta dhe rol qendror, veçanërisht me garën e Champions League në horizont.
Megjithatë, në Madrid, ardhja e trajnerit të ri Xabi Alonso dhe konkurrenca e lartë në repartin ofensiv i kanë vënë në dyshim vendin titullar brazilianit, i cili kërkon siguri në prag të Kupës së Botës së vitit të ardhshëm me Brazilin.
Aktualisht Rodrygo është ende me pushime pas angazhimeve në FIFA Club World Cup, ndërsa në ditët në vijim pritet të zhvillojë bisedime me trajnerin Alonso për të ardhmen e tij në Santiago Bernabeu.
Ndërkohë, edhe Liverpool shihet si një klub që nuk duhet përjashtuar nga gara për sulmuesin, sidomos nëse vendosin të largojnë emra si Darwin Nunez apo Harvey Elliott, çka do të çlironte hapësira dhe fonde të reja. Nga ana tjetër, Bayern Munich është drejt mbylljes së marrëveshjes për Luis Diaz, për një shumë prej rreth 65 milionë paundësh plus bonuse – duke i tërhequr gjermanët nga pista Rodrygo.
Tottenham është gati për një goditje të madhe në merkato. Tashmë topi është në fushën e Real Madrid-it dhe vetë Rodrygo-s.
Top Channel