Tjetër sulm i përgjakshëm rus në Ukrainë, 16 të vrarë dhe mbi 35 të plagosur në një qendër paraburgimi

29/07/2025 09:14

Një nga sulmet më të përgjakshme në muajt e fundit në Ukrainë ka ndodhur gjatë natës në rajonin e Zaporizhzhia, në jugperëndim të vendit, ku si pasojë e bombardimeve ruse janë vrarë të paktën 16 persona dhe janë plagosur mbi 35 të tjerë në një qendër paraburgimi.

Lajmi u konfirmua nga guvernatori lokal, Ivan Fedorov, përmes një postimi në aplikacionin Telegram, ku njoftoi se godina e burgut është shkatërruar plotësisht, ndërsa edhe shtëpi private në afërsi kanë pësuar dëme të mëdha.

“Godina e institucionit penal u rrafshua dhe dhjetëra banesa private u dëmtuan rëndë nga sulmet,” shkroi Fedorov.

Sipas autoriteteve rajonale, edhe në rajonin fqinj të Dnipropetrovsk ka pasur viktima – katër persona kanë humbur jetën dhe të tjerë janë plagosur si pasojë e sulmeve të vazhdueshme nga forcat ruse.

Guvernatori Fedorov tha se Rusia ka ndërmarrë tetë sulme ajrore në rrethin e Zaporizhzhias, duke përdorur bomba ajrore me shpërthim të fuqishëm, duke shkaktuar shkatërrime masive dhe viktima në radhët e civilëve.

Që nga fillimi i pushtimit të plotë të Ukrainës në vitin 2022, Zaporizhzhia është kthyer në një nga objektivat kryesore të forcave ruse, me sulme të vazhdueshme me dronë, raketa dhe bomba ajrore, shkruan Guardian. Sulmi i fundit përbën një nga episodet më tragjike të agresionit të vazhdueshëm rus në territorin ukrainas.

Top Channel