
Nga mbeturinat në produkte artizanale. Nga shishet e hedhura te vazo me lule, dekore tavolinash apo materiale që mund të përdoren në ndërtim.
Iniciativa të gjelbra po marrin jetë në Shqipëri, falë të rinjve që besojnë te riciklimi dhe ekonomia qarkulluese.
Bleona Zela është një prej tyre. Nisi si aktiviste duke kërkuar pastrimin e lumit Ishëm dhe sot drejton një qendër riciklimi. Aty plastika dhe qelqi shndërrohen në produkte të përdorshme, duke reduktuar ndotjen dhe kthyer mbetjet në mundësi.
“Përveç thirrjeve që i bënim komunitetit për moshedhjen e mbeturinave në lumë, arritëm të ndërtojmë qendrën. Ishim të fokusuar te plastika por u ndalëm edhe te qelqi.
Nisma jonë synon të reduktojë mbeturinat në Ishëm. Ne e kemi marrë këtë nismë, por duhet ndihma për reduktimin e mbetjeve.
Nëpërmjet riciklimit të tyre krijojmë vazo për lule, por edhe materiale që eksportohen në shtresimin e asfalteve. Në procesin e xhamit, mbetjet i riciklojmë. Një produkt donojmë edhe për filtrimin e pishinave. Por edhe për dekore tavolinash, banakësh, muresh, etj.”, shprehet ajo.
Një tjetër shembull vjen nga Samuela Hitaj, e cila ka zgjedhur të japë jetë të dytë materialeve të papërdorshme, duke i kthyer në ambalazhe artizanale me vlerë estetike dhe qëndrueshmëri mjedisore.
“E sjellim në tregun shqiptar si një produkt që jo vetëm është i prodhuar nga materiale lokale, por duam të promovojmë artizanatin dhe qëndrueshmërinë ndaj mjedisit. Të gjithë këta gurë janë sonda të marra nga shkëmbinjtë. Pasi testohen, këto materiale nuk nevojiten më dhe hidhen. Ne ndërhyjmë, i marrim dhe i përpunojmë duke i shndërruar në ambalazhe”, thotë Hitaj.
Idetë e të rinjve për të krijuar produkte shqiptare nuk qëndrojnë vetëm te riciklimi, por edhe te prodhimet bujqësore. Vetëm pak kilometra larg Tiranës… me prodhimin e kërpudhave shqiptare synon eksportin: “Prej një viti këtu ka qenë hapësirë rurale dhe e rregulluam në një fermë për kultivimin e kërpudhës. Kemi filluar në përgatitjen e substratit për kërpudhë. Kemi bërë hulumtim në tregun vendas dhe shohim që s’ka shumë ecuri dhe duam ta zhvillojmë që pse jo ta eksportojmë më vonë.”
Me financimin e projekteve nga BE, ekonomia qarkulluese dhe riciklimi po zënë gjithnjë e më shumë vend në zhvillimin e qëndrueshëm të Shqipërisë, nëpërmjet investimeve, trajnimeve dhe teknologjisë për menaxhimin e mbetjeve.
Top Channel