
Ghislaine Maxwell, bashkëpunëtorja e ngushtë e Jeffrey Epstein, është shprehur e gatshme të dëshmojë para Kongresit të SHBA-së, por vetëm nëse i garantohen disa kushte kyçe, përfshirë një marrëveshje për imunitet.
Në një letër drejtuar Komitetit Mbikëqyrës të Dhomës së Përfaqësuesve, avokatët e saj theksojnë se Maxwell, e cila aktualisht po vuan një dënim për trafik seksual të të miturve, nuk do të dëshmojë nëse nuk i sigurohen të drejtat kushtetuese dhe një “rrugë e sigurt përpara”. Ajo gjithashtu po apelon dënimin në Gjykatën e Lartë dhe argumenton se çdo dëshmi mund të kompromentojë mbrojtjen e saj.
Kushtet që ajo kërkon për të dëshmuar përfshijnë:
• Dhënie formale e imunitetit nga ndjekja penale.
• Marrja e pyetjeve paraprakisht dhe jo në formë të papritur.
• Dëshmia të mos zhvillohet në burgun ku ajo ndodhet aktualisht.
• Procesi të ndodhë vetëm pas përfundimit të çështjes së saj në Gjykatën e Lartë dhe kërkesës për habeas corpus.
Në fund të letrës, avokatët e saj i bënë edhe një apel të drejtpërdrejtë Presidentit Donald Trump për ‘mëshirë/ falje’, duke theksuar se nëse ajo do të merrte falje presidenciale, do të ishte “e gatshme dhe e etur të dëshmonte hapur dhe sinqerisht, publikisht, para Kongresit në Uashington DC”.
Megjithatë, reagimi i zyrtarëve të Kongresit ka qenë i ftohtë. Një zëdhënëse e Komitetit Mbikëqyrës e hodhi poshtë mundësinë e dhënies së imunitetit, duke theksuar se kjo nuk është një rrugë që po shqyrtohet.
“Nuk mendoj se ka shumë republikanë që duan t’i japin imunitet dikujt që mund të ketë qenë trafikant seksual i fëmijëve,” tha kryetari i komitetit, James Comer, për CNN.
Maxwell u dënua në vitin 2021 për rekrutimin dhe abuzimin seksual të vajzave të mitura në bashkëpunim me Epstein-in, i cili vdiq në burg në rrethana të diskutueshme në vitin 2019. Ajo po vuan një dënim 20-vjeçar në një burg federal në Florida.
Top Channel