
Detaje të reja kanë dalë në dritë mbi ngjarjen e rëndë që ndodhi mëngjesin e sotëm në Pogradec, ku 52-vjeçarja Kozeta Teço u vra në mënyrë makabre brenda banesës së saj në lagjen nr. 1 të qytetit të Pogradecit.
I dyshuar për kryerjen e krimit Ilirjan Selmani, 31 vjeç, dyshohet se kishte një lidhje intime prej tetë vitesh me viktimën.
Krimi dyshohet të ketë ndodhur në orët e para të mëngjesit pas një konflikti mes tyre. Gjatë debatit, Selmani e ka goditur me një mjet prerës në qafë dhe në krah, duke i shkaktuar plagë të rënda që sollën vdekjen e menjëhershme të Kozetës.
Pas ngjarjes, autori i dyshuar ka tentuar të zhdukë gjurmët duke pastruar gjakun me bluza dhe peceta, të cilat më pas i ka hedhur në një kazan mbeturinash pranë banesës. Kamerat e sigurisë së një biznesi në zonë kanë regjistruar këto veprime, duke ndihmuar policinë në identifikimin dhe ndalimin e tij.
Më pas, Selmani është parë duke u takuar me disa të njohur, të cilëve u ka thënë se kishte vendosur të ndahej nga Kozeta, duke pretenduar se ajo kishte një lidhje tjetër.
Top Channel