
Kamarieri 18 vjeçar që u dhunuar një ditë më parë nga një nënkomisar në Vlorë ka rrëfyer për Top Channel ngjarjen.
Kamarieri: Para gjysmë ore erdhën dy zotërinj, u ulën në tavolinë. Porosinë e mori kamarieri tjetër dhe më thanë që të çoja unë. Porosia ishte një shishe ujë e madhe, një e vogël, një makiato. I’a çoj në tavolinë, dhe më thotë: veç një ujë më sill se është ai tjetri (tregon sharjet e klientit në drejtim të kamarierit tjetër). I thashë “o vëlla ta heq unë ujin s’ka nevojë të shash se edhe ai tjetri pa dashje e ka bërë se s’do ta fusi ty”. I’a heq ujin dhe vijnë të dy burrat nga 40 vjeç e sipër, më ndjekin deri në banak, ai me qëllon tre herë, të parën me dackë, e dy të tjerat me grusht, vetëm se i çova një bidon më tepër. Edhe syzet mi hodhi në shesh mirë, që s’mi theu. Tre herë më qëlloi edhe në qafë.
Si ndodhi ngjarja?
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur ditën e djeshme në qytetin e Vlorës, në zonën e njohur të Skelës, ku një kamarier i ri është dhunuar brutalisht gjatë orarit të punës, në ambientet e një hoteli me frekuentim të lartë nga qytetarë vendas dhe të huaj.
Sipas burimeve dhe pamjeve të siguruara nga vendngjarja, Ardian Isufi, ish-shef i qarkullimit rrugor të Vlorës, i cili ndodhej jashtë detyrës dhe Leart Bimo, një individ me precedent kanë ushtruar dhunë fizike dhe verbale ndaj kamarierit, vetëm për një keqkuptim të vogël në porosi.
Dëshmitarët tregojnë se fillimisht, Isufi ka ndërhyrë me tone kërcënuese dhe kontakt fizik ndaj të riut, ndërsa më pas dhuna ka agravuar me goditje të shumta nga ana e Leart Bimos, duke rrezikuar seriozisht shëndetin e kamarierit.
Ngjarja ndodhi në prani të klientëve, të cilët, të tronditur, janë larguar menjëherë, duke lënë ambientin bosh.
Sipas policisë, Isufi mbante postin e nënkomisarit dhe Oficerit të Policisë në Komisariatin e Policisë Kufitare Dibër. Ai u pezullua nga detyra pas ngjarjes së rëndë.
Top Channel