Ronaldos i plotësohet një tjetër “dëshirë”, Al Nassr transferon sulmuesin portugez që fitoi titullin “Golden Boy”

27/07/2025 16:54

Joao Felix është pranë një transferimi të bujshëm te Al Nassr, ku do të ribashkohet me shokun e tij të kombëtares portugeze, Cristiano Ronaldo.

Klubi saudit është në fazën finale të bisedimeve me Chelsea-n për një marrëveshje me vlerë rreth 44 milionë paund, që do ta çojë 25-vjeçarin në Riad.

Pasi Benfica tentoi ta rikthente sulmuesin në Lisbonë, është Al Nassr që ka marrë tani frenat në dorë për ta afruar yllin portugez, me synimin për të fituar titullin në Saudi Pro League.

Transferimi i Felix shihet si një tjetër hap i madh nga klubi që jo vetëm ka zgjatur kontratën e Ronaldos, por ka emëruar edhe një tjetër emër të njohur nga Portugalia, Jorge Jesus, si trajner i ri.

Joao Felix iu bashkua Chelsea-t verën e kaluar me një marrëveshje të përhershme pas një huazimi gjashtëmujor nga Atletico Madrid, me një kosto totale prej rreth 45 milionë paund. Megjithatë, pavarësisht potencialit, ai nuk arriti të zinte një vend fiks në “Stamford Bridge”.

Largimi i tij pritet të lehtësojë financiarisht klubin londinez, i cili është duke shtyrë për transferimin e Xavi Simons nga RB Leipzig, ndërkohë që çdo lëvizje e re varet nga shitjet.

Kujtojmë se më herët këtë vit, Felix kaloi në huazim edhe te AC Milan, ku realizoi 3 gola në 19 paraqitje, duke i siguruar Chelsea-s edhe një pagesë shtesë prej 5 milionë paund.

Nëse transferimi zyrtarizohet, Felix dhe Ronaldo do të luajnë për herë të parë së bashku në nivel klubesh – një dyshe që premton spektakël dhe që forcon më tej ambiciet saudite për të marrë vëmendjen e futbollit botëror.

 

Top Channel