Plazhi i të gjithëve! Çmimet e arsyeshme shndërrojnë Shëngjinin në destinacionin e preferuar për shumë familje

27/07/2025 19:51

Shëngjini po kthehet në një nga destinacionet më të preferuara të verës për shumë pushues, falë jo vetëm bukurive natyrore dhe plazheve të pastra, por edhe çmimeve të përballueshme që e bëjnë një ditë pushimi të kënaqshme dhe ekonomike.

Në bregdetin e Shëngjinit dhe plazhet përreth si Rana e Hedhun apo Tale, një familje mund të shijojë një ditë të plotë nën diell pa shpenzuar shumë.

Çmimi mesatar për dy shezlongë me çadër varion nga 300 deri në 1000 lekë, në varësi të pozicionit. Ndërkohë, në disa zona publike, pushuesit zgjedhin të vendosin çadrat e tyre pa pagesë. Sa i përket ushqimit, çmimet janë modeste dhe konkurruese në krahasim me shumë plazhe të tjerë të vendit. Në restorantet përgjatë vijës bregdetare, një vakt i plotë me produkte deti kushton rreth 2500 lekë për person.

Pushuesit nga Kosova, për të cilët Shëngjini është vetëm pak orë larg me makinë, e konsiderojnë këtë zonë si një alternativë ideale për fundjava të shpejta apo edhe pushime disa-ditore.

Edhe turistët e huaj, si ky spanjoll, e vlerësojnë se Shëngjini ofron pushime me kosto normale, ushqim të mirë dhe pa ndjesinë e “shtrydhjes së portofolit”.

Ndërsa turizmi elitar ka shtrirë ndikimin në zona të tjera të vendit, Shëngjini mbetet sinonim i pushimeve të arsyeshme për të gjithë, me një raport cilësi/çmim që e bën një ndër perlat më të vlerësuara të verës në Shqipëri.

Top Channel