
Aktori i njohur Visjan Ukcenaj ka ndarë një rrëfim të veçantë dhe emocional në emisionin Hipokrati, ku ka treguar për disa nga momentet më të vështira që ka përjetuar në spitale, që nga fëmijëria e tij e deri më sot.
Në një kujtim të fortë emocional, Visjani ndalet tek një episod dramatik që ka ndodhur në vitin 1997, kur ishte vetëm 10 vjeç. Ai tregon se vëllai i tij kishte një ënjtje të madhe në sy dhe pas një vizite, mjekët u thanë se mund të kishte kancer.
“Vëllai im kishte një ënjtje të madhe në sy. Ishte viti 1997, ishte një traumë e vërtetë, isha 10 vjeç”, rrëfen Visjani.
Por ndonëse situata dukej e tmerrshme, gjithçka mori një kthesë pozitive falë një vendimi të nënës së tij.
“Më pas mami tha të shkojmë te një mjek tjetër. Ishte një periudhë shumë e vështirë në ‘97, mbaj mend spitalin atëherë, kërcisnin gëzhojat mbi çati, ishte një periudhë e frikshme, kalonin trupat e njerëzve, të plagosur, të vrarë. Mbaj mend gjithçka. Po prisnim të bënim vizitën tek mjeku, kur më pas pas kontrollit mjeku tha se vëllai kishte thjesht bllokim të kanalit të lotit. Duhej ta operonim, por vetëm kaq. Operacioni ishte një çlirim për ne.”
Aktori theksoi edhe rëndësinë e një diagnoze të saktë dhe kujdesin që duhet të kemi për të mos nxjerrë përfundime të shpejta.
“Kjo u ndodh dhe njerëzve të tjerë, marrin përgjigje të gabuar për një diagnozë që nuk është e vërtetë, prandaj asnjëherë nuk duhet të nxitohemi,” u shpreh ai.
Top Channel