Gyokeres përshëndetet me tifozët e Arsenalit, “Topçinjtë” i urojnë mirëseardhjen suedezit me fitoren përballë rivalit të Premier League

27/07/2025 16:26

Viktor Gyokeres ishte spektator special në fitoren 3-2 të Arsenalit ndaj Newcastle në Singapor, ndërsa pritet të bëjë debutimin e tij në miqësoren e radhës ndaj Tottenham në Hong Kong.

Sulmuesi suedez prej 27 vjeç, i transferuar për 63.5 milionë paund, u prezantua zyrtarisht para fillimit të ndeshjes në Singapore National Stadium, ku rreth 40 mijë tifozë përshëndetën afrimin më të bujshëm të merkatos së Arsenalit këtë verë.

Gyokeres doli në fushë 15 minuta para startit të sfidës, duke përshëndetur tifozët dhe shpërndarë bluza në tribunë. Reagimi i publikut ishte i jashtëzakonshëm – më shumë si një koncert i një ylli botëror sesa si një prezantim sportiv.

Pas zhurmës së madhe, nisi ndeshja. Arsenal u detyrua të përmbyste rezultatin pasi Anthony Elanga, afrimi më i ri i Newcastle prej 55 milionë paundësh, zhbllokoi takimin pas vetëm 6 minutash. Por Mikel Merino dhe një autogol nga Alex Murphy përmbysën shifrat brenda dy minutash.

Jacob Murphy barazoi për “qymyrxhinjtë”, por ishte kapiteni Martin Ødegaard që shënoi golin e fitores nga pika e bardhë, pas një depërtimi spektakolar të Max Dowman, talenti 15-vjeçar që po bën bujë në radhët e Arsenalit.

Në formacionin titullar mungonte Gyokeres, ndërsa Kai Havertz e nisi ndeshjen si qendërsulmues. Ethan Nwaneri mori vendin e Ødegaard në mesfushë, ndërsa në mbrojtje Calafiori dhe William Saliba formuan dyshen qendrore. Mbrojtësi i sapoardhur, Cristhian Mosquera, nuk u grumbullua ende.

Megjithëse ishte vetëm një miqësore parasezonale, loja pati intensitet dhe tension, duke reflektuar rivalitetin në rritje mes dy skuadrave. Arsenal pati raste të pastra në pjesën e parë, por Havertz dhe Calafiori i shpërdoruan, ndërsa Trossard, ndonëse pësoi dy goditje të lehta, arriti ta mbyllte sfidën në fushë.

Arsenal tashmë udhëton drejt Hong Kongut, ku të enjten do të përballet me Tottenham, dhe aty pritet të vijë debutimi i Viktor Gyokeres – njeriu që tashmë mbart mbi supe shpresat e një sezoni të ri ambicioz për “Topçinjtë”.

Top Channel