
Barcelona e nisi me fitore epokën e re nën drejtimin e Hansi Flick, duke triumfuar 3-1 ndaj Vissel Kobe në miqësoren e parë të turneut në Japoni.
Edhe pse ishte një përballje parasezonale, ndeshja dha disa sinjale interesante për projektin e ri të katalanasve.
Skuadra e Flick dominoi pjesën më të madhe të lojës, pavarësisht ulje-ngritjeve të natyrshme për këtë fazë të përgatitjeve, me vetëm dy javë stërvitje në këmbë. Goli i parë erdhi nga Eric Garcia, i cili përfitoi nga rrëmuja në zonë pas një goditjeje nga këndi dhe e çoi topin në rrjetë.
Pak minuta më vonë, Vissel Kobe reagoi dhe e barazoi rezultatin me Miyashiro, pas një aksioni të shpejtë që nxori në pah disa luhatje në prapavijën e Barcelonës.
Në pjesën e dytë, Roony Bardghji dhe Pedro Fernández, dy nga prurjet më premtuese të ekipit, morën skenën. Suedezi Bardghji shënoi një gol të bukur pas një aksioni të rrjedhshëm dhe dha sinjale shumë premtuese për vendin e tij në skuadër. Ndërsa Pedro, një tjetër talent që ka tërhequr vëmendjen në akademi, vulosi fitoren me një finalizim të saktë për 3-1.
Një moment i shumëpritur ishte edhe debutimi i Marcus Rashford, i cili u aktivizua në pjesën e dytë dhe krijoi disa situata të rrezikshme në krah. Lamine Yamal, i cili kishte mbajtur numrin 10, ishte aktiv në pjesën e parë dhe asistoi me thembër për golin e Garcias, në një nga aksionet më të bukura të ndeshjes.
Joan Garcia, i vendosur në portë me fanellën numër 1, ishte i sigurt dhe i kthjellët në vendimet e tij, sidomos në minutat e para kur Vissel tentoi presionin e lartë.
Pavarësisht rotacioneve dhe karakterit miqësor të takimit, Flick përdori këtë ndeshje si një dritare për të vlerësuar konkurrencën në disa pozicione. Jofre Torrents la përshtypje pozitive dhe kaloi përpara Gerard Martín në hierarki. Christensen, ndonëse përflitet për një largim të mundshëm, tregoi se është ende i vlefshëm në aspektin sportiv.
Barcelona do të ketë edhe disa ndeshje të tjera testuese në këtë turne, por fillimi i Flick ishte premtues – me një grup të ri, energji të freskëta dhe disa emra që kërkojnë të lënë gjurmë që tani.
Top Channel