Arrihet marrëveshja e shumëpritur, Bayern-i shumë pranë transferimit të yllit të Liverpool

27/07/2025 17:28

Luis Diaz është shumë pranë një transferimi të bujshëm te Bayern Munich, pasi kampionët e Gjermanisë kanë arritur marrëveshje me Liverpoolin për 75 milionë euro (rreth 65.6 milionë £).

Kolumbiani pritet të udhëtojë drejt Gjermanisë brenda 24 orëve të ardhshme për të finalizuar transferimin.

Diaz aktualisht ndodhet në Tokio me skuadrën e Arne Slot në turin përgatitor të verës, por klubi anglez i ka dhënë leje zyrtare për të lënë grumbullimin dhe për të mbyllur kalimin te gjermanët.

Liverpool kishte refuzuar më herët një ofertë prej 67.5 milionë eurosh, por negociatat u rihapën së fundmi dhe palët kanë gjetur dakordësinë për shumën që “The Reds” e konsideruan si vlerën e plotë të kartonit të sulmuesit 27-vjeçar.

Trajneri Arne Slot konfirmoi se mungesa e Diaz në miqësoren kundër AC Milan ishte e lidhur me të ardhmen e tij.

“Ka shumë zëra kohët e fundit. Lucho po stërvitet shumë mirë, por kemi vendosur të mos e aktivizojmë për momentin. Po, kam folur me të për situatën, por nuk mund të komentoj më shumë,” – tha Slot.

Luis Diaz kishte kontratë me Liverpoolin deri në qershor 2027, por ka shprehur dëshirën për t’u larguar këtë verë. Ai u transferua në “Anfield” në janar 2022 nga Porto, për një shumë fillestare prej 37.5 milionë £, që me bonuse arriti në rreth 43 milionë £.

Gjatë aventurës së tij me Liverpoolin, Diaz regjistroi 148 ndeshje, me 41 gola dhe 23 asistime në të gjitha kompeticionet. Ai ishte protagonist në sezonin 2024-25, duke shënuar 13 gola në Premier League dhe duke ndihmuar klubin të shpallej kampion i Anglisë.

Nga ana tjetër, Bayern Munich ka qenë në kërkim të një sulmuesi këtë verë, pasi humbi objektiva si Florian Wirtz, i cili zgjodhi Liverpoolin, dhe Nico Williams, që rinovoi me Athletic Club. Gjermanët e shohin Diaz si një lojtar të gjithanshëm, të aftë të mbulojë disa role në vijën e parë të sulmit.

Liverpool, ndërkohë, ka bërë lëvizje të tjera në merkato: ka afruar Hugo Ekitike nga Eintracht Frankfurt për 69 milionë £ + 10 milionë bonuse, dhe ka shprehur interes për Alexander Isak të Newcastle. Po ashtu, Darwin Nunez është i hapur për një largim, ndërsa Harvey Elliott ka lënë të kuptohet se do të rishikojë të ardhmen e tij për shkak të konkurrencës së lartë.

Top Channel