Zjarri më i rëndë në zonë ndër dekada, vijon lufta me flakët në Delvinë! Ç’po ndodh me 2 mijë banorët e evakuuar

26/07/2025 15:33

Zjarri shkatërrues që përfshiu zonën e fshatrave Kalasë, Tatzat, Senicë, Vergo, Kopaçëz dhe Palavli, në Njësinë Administrative Vergo të Bashkisë Delvinë, vijon të jetë aktiv edhe sot. Flakët aktualisht janë përqendruar në kodrën përballë fshatit Palavli dhe në zonën mbi baxhon e fshatit Kopaçëz, prej nga dyshohet se janë përhapur më tej drejt malit të Borshit.

Për shkak të rrezikut të lartë, rreth 2000 banorë u evakuuan gjatë ditës së djeshme nga këto gjashtë fshatra. Megjithëse disa prej tyre kanë nisur të kthehen në banesa, autoritetet nuk e rekomandojnë kthimin për shkak të tymit të dendur, smogut, temperaturave ekstreme, mungesës së ujit dhe energjisë elektrike, si dhe për shkak të rrezikut të shpërthimeve të municioneve të pashpërthyera, të pranishme në zonë që prej Luftës së Dytë Botërore dhe vitit ’97, raporton Korrespondentja e Top Channel Kristina Fidhi.

Dëmet janë masive. Vetëm në fshatin Kopaçëz, banorët thuajse kanë humbur gjithçka përfshi rreth 2000 rrënjë ullinj qindravjeçarë, pemë frutore, bagëti, dhi, dele, lopë, kafshë shtëpiake, koshere bletësh, si dhe banesa. Në gjithë territorin e gjashtë fshatrave janë djegur në total 20 banesa, shumica e tyre të banuara. Mes ndërtesave të shkatërruara është edhe kisha e Shën Dhimitrit në Senicë, Monument Kulture i kategorisë së parë.

Banorët rrëfejnë për orë të tëra tmerri, ku kanë luftuar me mjete rrethanore për të shpëtuar jetën dhe pronën. Disa kanë mundur të shpëtojnë vetëm veten, ndërsa shumë të tjerë janë lënduar në përpjekje për të shpëtuar kafshët apo kopshte. Dy banorë të fshatit Kopaçëz kanë pësuar djegie të rënda dhe janë transportuar për trajtim të specializuar në Tiranë ndërsa disa të tjerë po marrin ndihmë mjekësore në spitalin e Sarandës ose në banesa për djegie të pjesshme dhe asfiksi nga tymi.

Zjarri ka dëmtuar plotësisht rrjetin e ujësjellësit dhe linjat elektrike në zonë. Punonjësit e OSHEE, të cilët ndodheshin në terren për të ruajtur dhe ndërhyrë në linjat e tensionit, kanë pësuar gjithashtu lëndime për shkak të nxehtësisë dhe kushteve të vështira.

Operacioni për përballimin e flakëve është ende në vijim. Forcat e ushtrisë, zjarrfikësit dhe helikopterët po veprojnë nga toka dhe ajri në lindje të luginës së Kalasës dhe në jug, ku flakët kanë avancuar në disa drejtime. Temperatura të jashtëzakonshme, të cilat në zonën e zjarrit kanë arritur deri në 50°C, e kanë përkeqësuar situatën dhe e kanë vështirësuar ndërhyrjen.

Tym i dendur dhe hiri janë përhapur deri në qytetin e Sarandës, duke krijuar vështirësi në frymëmarrje dhe reduktuar dukshmërinë në disa akse. Ndërkohë, autoritetet kanë nisur hetimet për zjarrvënie të qëllimshme, ndërsa paralelisht po përgatitet vlerësimi i dëmeve të jashtëzakonshme, që kërkojnë kohë dhe burime të mëdha për tu përllogaritur.

Ky është konsideruar zjarri më i rëndë për nga përmasat në këtë zonë ndër dekada. Emergjenca civile mbetet në fuqi dhe situata nuk është ende nën kontroll të plotë.

Top Channel