
Vatra e zjarrit që përfshiu zonën e fshatrave Kalasë, Tatzat, Senicë, Vergo, Kopaçëz dhe Palavli në Njësinë Administrative Vergo, bashkia Delvinë, vazhdon të jetë aktive.
Aktualisht, flakët janë të përqendruara në kodrën përballë fshatit Palavli si dhe në zonën mbi baxhon e fshatit Kopaçëz, prej nga dyshohet se janë përhapur edhe drejt malit mbi Borsh.
Për shkak të rrezikut të lartë, rreth 2000 banorë nga gjashtë fshatra u evakuuan ditën e djeshme nga banesat e tyre, për të shmangur pasojat e mundshme nga përhapja e zjarrit.
Deri tani, janë raportuar të paktën 11 banesa të djegura, përfshirë edhe kishën e fshatit Senicë, Shën Dhimitri. Dëmet në bujqësi janë të konsiderueshme, me shumë pemë frutore, ullinj dhe bagëti të shkrumbuara nga flakët. Po ashtu, tre persona kanë pësuar djegie dhe kanë marrë ndihmë mjekësore.
Autoritetet vendore dhe forcat zjarrfikëse vazhdojnë përpjekjet për të vënë nën kontroll situatën, ndërsa pritet mbështetje shtesë nga toka dhe ajri për përballimin e emergjencës.
Top Channel