
Një vatër e madhe zjarri është aktivizuar gjatë ditës së sotme në fshatin Markat, në Bashkinë Konispol, duke shkaktuar djegien e një banese dhe duke rrezikuar seriozisht të tjera objekte të banuara në zonë.
Banorët janë larguar me urgjencë nga shtëpitë, ndërsa përpjekjet për shuarjen e flakëve vazhdojnë në kushte të vështira.
Zjarri ka nisur ditën e djeshme në fshatin Ninat, por shërbimet zjarrfikëse të Konispolit, së bashku me banorët, arritën ta neutralizonin pas ndërhyrjes intensive gjatë gjithë natës. Megjithatë, sot vatra është riaktivizuar në zonën e Markatit, duke marrë përmasa të rrezikshme për jetën dhe pronën.
Aktualisht në terren janë angazhuar zjarrfikësja e Konispolit, e Finiqit dhe ajo e Sarandës, si dhe dy mjete të Forcave të Armatosura. Po ashtu, në ndihmë kanë shkuar efektivë të Policisë së Sarandës, ndërkohë që për shkak të terrenit të vështirë, mjetet zjarrfikëse nuk arrijnë të depërtojnë në lartësinë e kodrave, dhe shuarja po kryhet me mjete rrethanore.
Situata mbetet e rënduar. Zjarri po vijon të përhapet për shkak të erës dhe temperaturave të larta, ndërsa dëmet janë të konsiderueshme. Autoritetet apelojnë për bashkëpunim nga banorët dhe për largimin e përkohshëm të të moshuarve, fëmijëve dhe të sëmurëve nga banesat.
Top Channel