
Vendi ynë ndodhet nën pushtetin e zjarreve nga veriu në jug, ndërsa temperaturat kanë prekur 44 gradë C.
Ministria e Mbrojtjes raporton se janë 26 vatra zjarri në total, nga të cilat 17 më të rrezikshmet, me një shtrirje nga Dibra, deri në Konispol.
Në terren ndodhen me dhjetëra efektivë të Forcave të Armatosura, zjarrfikës dhe helikopterë, ndërsa në orët e fundit mbërritën edhe dy avionë Canadair nga Kroacia e Italia, për të ndihmuar për shuarjen e zjarrit në Shashicë, në afërsi të fshatit Kaninë.
Ashtu si në rastin e zjarrit në Dukat, edhe në këtë zonë përballja me flakët është e vështirë, për shkak të terrenit të thepisur dhe të paaksesueshëm nga toka.
Po këtë pasdite, një zjarr i përmasave të mëdha raportohet në Parkun Kombëtar të Prespës, në zonën e Pustecit. Situata paraqitet shumë e vështirë, për shkak të përhapjes së madhe të vatrës, ndërsa në terren ndodhen mbi 50 forca.
Një tjetër vatër e rrezikshme këtë pasdite u shfaq edhe në Bulqizë me përfshirjen e kullotave dhe rrugëve. Mbi 20 vatra zjarri janë shfaqur Bulqizë dhe në Klos të Matit.
Era e fortë dhe temperaturat e larta po djiegin me qindra hektarë pyje me pisha dhe kullota, por jo vetëm: zjarret janë ofruar deri tek bizneset duke i rrezikuar ato.
Një vatër e madhe zjarri është aktivizuar gjatë ditës së sotme në fshatin Markat, në Bashkinë Konispol, duke shkaktuar djegien e një banese dhe duke rrezikuar seriozisht të tjera objekte të banuara në zonë.
Banorët janë larguar me urgjencë nga shtëpitë, ndërsa përpjekjet për shuarjen e flakëve vazhdojnë në kushte të vështira. Autoritetet apelojnë për bashkëpunim nga banorët dhe për largimin e përkohshëm të të moshuarve, fëmijëve dhe të sëmurëve nga banesat.
Pas disa orëve zjarri në fshatin Markat është vendosur nën kontroll, ndërsa në operacion morën pjesë: dy automjete zjarrfikëse me 6 efektivë nga MZSH Konispol, dy automjete me 12 efektivë nga BMEC dhe një helikopter i Forcave të Armatosura
Situatë alarmante nga zjarret është edhe në vendin e quajtur “Liqeni i Luleve”, pjesë e Parkut Kombëtar të Lurës. Në Korçë në fshatin Dishnicë, në Devoll, Pogradec, Skrapar, Dimal, Mallakastër, Poliçan gjithashtu ka vatra zjarri.
Top Channel