“Çlirohen” 60 plazhe/ Durrës, janë sekuestruar më mijëra çadra, 200 gjoba

26/07/2025 18:55

Plazhet publike këtë sezon po i rikthehen qytetarëve.

Aty ku deri dje hapësira ishte e zënë me çadra dhe shezlongë të vendosur pa leje, sot pushuesit po gjejnë vend të lirë për të shijuar detin. Në kuadër të operacionit “Plazhi i lirë” janë liruar mbi 60 parcela plazhesh vetëm në Durrës. Mijëra çadra janë sekuestruar dhe ndaj subjekteve shkelëse janë vendosur mbi 200 masa administrative.

Pushuesit e vlerësojnë ndërhyrjen, por kërkojnë që lirimi i plazheve të shoqërohet me kujdes më të madh për pastërtinë dhe mirëmbajtjen.

“Jemi shumë të surprizuar dhe të kënaqur. Rrimë në Gjermani, po e kemi dhe apartamentin këtu. Për herë të parë në Durrës që po ndjehemi kaq bukur, po ka akoma gjëra që lejnë për të dëshiruar. Ujë nuk ka, vende për t’u ndërruar jo. Kosha mbeturinash nuk ka, po çdo gjë tjetër na pëlqen shumë”, tha pushuesja.

“Gjithkush merr çadrën e vet dhe e ngul në rërë. Është vend i liruar tani. Mirë bënë”, tha pushuesja.

“Ishim në Sarandë dhe do të qëndrojmë edhe dy ditë këtu. Më pëlqen. Çmimet janë të mira, plazhe ka po duhet të jetë më pastër”, tha pushuesja çeke.

Një sfidë e shfaqur rëndom vitet e fundit, pas pandemisë, në plazhet publike më të populluara mbetet zënia e tyre nga banorë që jetojnë pranë bregdetit. Policia Bashkiake apelon për respektim të orareve dhe rregullave, që bregdeti të jetë i hapur e i aksesueshëm për të gjithë.

 Operacioni do të vijojë gjatë gjithë sezonit, për të garantuar pushime të qeta, plazhe të lira dhe një mjedis të sigurt për çdo qytetar, por këto plazhe tashmë të lira duhet të mirëmbahen.

Top Channel