“Veliajn në spital e shoqëruan 30 efektivë policie”, avokatët e kryebashkiakut kërkesë Burgjeve: Duam informacion për masat ekstreme

25/07/2025 19:09

Avokatet e kryebashkiakut Veliaj kërkojnë informacion nga Drejtoria e Burgjeve mbi trajtimin mjekësor dhe masat ekstreme të sigurisë gjatë shoqërimit në spital, duke shkelur çdo protokoll mjekësor dhe trajtimin njerëzor, sipas pretendimeve të tyre.

Avokatët i janë drejtuar zyrtarisht Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve me kërkesën për informacion dhe dokumentacion mbi shoqërimin e klientit të tij në një vizitë mjekësore më 17 Korrik 2025, raporton gazetarja e Top Channel Anila Hoxha.

Kryebashkiaku Veliaj ndodhet në paraburgim në IEVP Durrës prej datës 12 Shkurt 2025 dhe kishte kërkuar më herët trajtim të nevojshëm shëndetësor.

“Kjo vizitë pasi i është refuzuar disa herë, dhe pasi ju miratua është shoqërua me një prani të jashtëzakonshme sigurie prej rreth 30 efektivësh policie dhe hetues të BKH-së, disa prej të cilëve ishin të pranishëm edhe brenda sallës së ekzaminimit, masa të papërshtatshme dhe të pajustifikuara për një person si zoti Veliaj dhe në shkelje të çdo protokolli mjekësor”, theksojnë avokatët.

Në kërkesën zyrtare kërkohet transparencë mbi procedurat e ndjekura, forcat e angazhuara dhe kohëzgjatjen e qëndrimit në institucionin shëndetësor, si dhe të gjithë planin e masave për këtë shoqërim.

Zyra e avokatëve thekson se çdo shkelje ndaj dinjitetit dhe trajtimit njerëzor do të ndiqet me të gjitha mjetet ligjore të mundshme.

Top Channel